Gjimnazet, kush s’merr lëndët me zgjedhje rrezikon maturën
Lehtësira për nxë-nësit e vitit të parë në gjimnaz, sa u përket lëndëve me zgjedhje. Nëse mbesin në ndonjërën prej tyre, ata do të kenë mundësi ta japin atë vitin e ardhshëm shkollor, por duhet të bëjnë kujdes. Nuk duhet neglizhuar ky grup lëndësh. Udhëzimi i fundit e Ministrisë së Arsimit, i cili ka hyrë në fuqi prej pak ditësh thotë qartë: “Kur nxënësi është kalues në lëndë me zgjedhje, i fiton kreditet përkatëse të klasës X që përmban plani mësimor i gjimnazit. Nëse nxënësi është kalues në të gjitha lëndët bërthamë dhe nuk ka plotësuar sasinë e mjaftueshme të krediteve që përmban plani mësimor i gjimnazit, nuk futet në provimet e Maturës Shtetërore”, thuhet në udhëzim. çka do të thotë që për shkak të këtyre lëndëve, ata automatikisht nuk mund të japin dot provimet për të marrë dëftesën e shkollës së mesme dhe për të konkurruar në shkollat e larta. Futja e lëndëve me zgjedhje në klasën e X (viti i parë gjimnaz), është aplikuar për herë të parë këtë vit shkollor. Që në nisje të vitit, me anë të një formulari të posaçëm, nxënësit bëjnë zgjedhjen e tyre mbi bazën e lëndëve të ofruara. Lëndët me zgjedhje synojnë të zgjerojnë mundësitë e nxënësve për studime të mëtejshme në jetë dhe për në tregun e punës. Deri më tani janë përcaktuar vetëm pesë lëndë me zgjedhje të detyruar, për vitin e parë të gjimnazit që janë: Gjuhë e huaj e dytë (Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht), Letërsi e avancuar, Matematikë e avancuar, Trashëgimia jonë kulturore, TIK i avancuar. Ndonëse janë pesë gjuhë të huaja si lëndë me zgjedhje të detyruar, nxënësit nuk kanë të drejtë që të zgjedhin më shumë se një të tillë të huaj të dytë. Në udhëzimin e MASH përcaktohet kur një nxënës i vitit të parë humbet vitin shkollor. “Nxënësi do të mbesë në klasë kur: “në përfundim të vitit shkollor është mbetës në tri lëndë bërthamë, nuk paraqitet në provimet e vjeshtës për një lëndë bërthamë, është mbetës në provimet e vjeshtës në një lëndë bërthamë”, thuhet në udhëzim. Në të përcaktohet se nxënësit që nuk i nënshtrohen provimit të vjeshtës në një lëndë me zgjedhje, ose mbesin në të, e kalojnë klasën, por nuk i fitojnë kreditet përkatëse”. Nxënësi, që është mbetës në provimin e vjeshtës në një lëndë me zgjedhje, ka të drejtë t’i nënshtrohet përsëri provimit në vitin pasues.