E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e PD: Zgjedhjet, më të lirat, të mirat e të drejtat që pas viteve ‘90"



Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e maxhorancës, të 15 deputetëve, rezolutën për punën e KQZ-së. Në të cilësohet se zgjedhjet e 2009-ës ishin më të mirat që janë mbajtur ndonjëherë që pas vitit 1990, si dhe plotësuan shumicën e angazhimeve të Shqipërisë ndaj OSBE-së. Në rezolutë theksohet se për herë të parë deputetët u shpallën nga KQZ-ja me konsensusin e plotë të gjithë anëtarëve të këtij institucioni.
Rezoluta
Kuvendi i Shqipërisë konstaton se:
-Zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mirat, më të drejtat dhe më të lira që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90, dhe se zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e angazhimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj OSBE-së;
-Komisioni Qendror Zgjedhor në realizimin e zgjedhjeve të 2009 ka pasur rolin e tij të dukshëm dhe determimant për to;
-pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, KQZ i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet e 2009 me profesionalizëm, si dhe ndërmori një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor;
-u realizua një pasqyrim i balancuar i aktiviteteve të të gjitha subjekteve në media, në përputhje me përcaktimet e bëra në Kodin Zgjedhor;
- procesi zgjedhor i qershorit shënoi hap cilësor në rritjen e transparencës, jo vetëm për sa i përket rolit të aktorëve politik në to, por edhe pasqyrimit të procesit të numërimit nëpërmjet kamerave dhe sistemit online të lidhjes me KQZ;
-KQZ e administroi me profesionalizëm procesin, dhe me sukses atë, duke realizuar njëkohësisht dhe vendosjen e standardeve të reja të transparencës zgjedhore në Shqipëri;
- Shpallja e vazhdueshme e rezultateve paraprake nga KQZ-ja rriti transparencën e procesit dhe një burim i besueshëm informacioni.
- Apelimet gjatë periudhës parazgjedhore dhe asaj pas zgjedhore u shqyrtuan nga KQZ-ja, në mënyrë profesionale dhe të drejtë, duke u dhënë atyre zgjidhje efektive;
-deputetët e Kuvendit, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, janë shpallur me konsensusin e plotë të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.
Kuvendi kërkon nga KQZ për vitin 2010:
-fillimin e menjëhershëm të punës, brenda kornizës ligjore aktuale, për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të radhës në 2011, me qëllim realizimin e tyre në përmbushje të plotë të standardeve ndërkombëtarë;
-përpunimin e akteve nënligjore, në kompetencë të KQZ-së, në përputhje me rekomandimet e dhëna në raportin përfundimtar të zgjedhjeve, nga OSBE-ODIHR dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë;
-raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të përbëjë dokument dhe një plan veprimi pune për të përmirësuar të gjitha ato aspekte të veprimtarisë së KQZ-së, për të cilat është kërkuar përmirësim.
-nxitjen e një klime të përshtatshme dhe të mëtejshme bashkëpunimi dhe konsensusi brenda anëtarësisë së KQZ-së, me qëllim rritjen e fizionomisë dhe vendimmarrjes teknike të saj, larg praktikave të pengimit dhe bllokimit të veprimtarisë së saj dhe administratës zgjedhore;
- ndërgjegjësimin e zgjedhësve për ushtrimin e së drejtës së tyre kushtetuese, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›