Prifti në Stamboll: Shqipëria vend i shkëlqyer për investime
Rritja e pritshme ekonomike e Shqipërisë për vitin 2010 është 5 për qind. Deklaratën e ka bërë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti dje gjatë takimit të Ministrave të Tregtisë të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Duke paraqitur një tablo të zgjeruar të rritjes ekonomike të vendit tonë gjatë vitit të kaluar si dhe klimën pozitive për biznesin ministri ka bërë një ftesë të hapur për investitorët. “Shqipëria është një vend i shkëlqyer për investime dhe fitime dhe në këtë drejtim është vendi më miqësor për investimet e huaja” tha Prifti. Ai përmendi në këtë drejtim dy nga institucionet e krijuara në ndihmë të biznesit dhe reduktimit të burokracive, si Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Nga ana tjetër ai vuri në dukje se Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Evropë çka favorizon biznesin në veçanti dhe ekonominë në përgji-thësi.”Një mjedis më i përshtatshëm për biznesin, si ulja e taksave, zbutja e burokracive, ekonomia e hapur, tregu i lirë, kanë qenë mekanizmi i zhvillimit dhe i rritjes ekonomike në vend”, vazhdoi më tej ministri. Gjatë fjalës së tij ai u përqendrua edhe tek perspektiva e vendit për ambicien drejt BE-së.