Poni: Rama po mban peng mbledhjen e këshillit
“Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po pengon këshillin bashkiak të mblidhet të diskutojë për buxhetin”. Këtë akuzë bëri dje kreu i këshilltarëve të djathtë në këshillin bashkiak, Ferdinand Poni. Ai shtoi se Rama nuk po përgatit informacionin e kërkuar nga ana e këshilltarëve të djathtë rreth buxhetit. “Bëjmë denoncimin e radhës ndaj veprimeve obstruksioniste, penguese të kryetarit ose ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edvin Ramës, ndaj të drejtës së ligjshme, që këshilli bashkiak ka për të vendosur për buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit. Mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës e muajit mars lidhur me buxhetin është shtyrë në pritje të 3 kërkesave të maxhorancës së këshilltarëve të bashkisë, që do të mundësonin një buxhet të shëndetshëm, një buxhet efektiv dhe transparent”, tha Poni. Sipas tij, së pari kërkohet lista e plotë të taksave dhe tatimeve të vendosura nga Bashkia e Tiranës. “Kërkojmë gjithashtu, nivelin e tyre me ligj dhe nivelin përkatës të vendosur nga Bashkia e Tiranës si dhe numrin përkatës të taksapaguesve për çdo taksë”, tha Poni. Për tri herë me radhë buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk ka arritur të marrë miratimin e këshillit. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni, mosmiratimi po pengon investimet në kryeqytet.