E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: Prokuroria, dy standarde



BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka vendosur akoma që të asgjësojë fletët e votimit, të përdorura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve se institucioni që ai drejton nuk e ka marrë ende këtë vendim, me qëllim për të mos i hedhur benzinë zjarrit, debatit politik mes maxhorancës dhe opozitës për hapjen e kutive. Ka qenë pikërisht deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila ka kërkuar të dijë nga kryekomisioneri Ristani se pse nuk është zbatuar neni 178, pika 6, ku parashikohet asgjësimi i fletëve dhe dorëzimi i materialeve në arkiv. “Nuk ka një afat të shprehur në ligj për këtë punë, nuk ka afat kohor. Sigurisht ka qenë në vëmendjen e KQZ, për ta realizuar dhe këtë pikë të ligjit dhe për hir të së vërtetës thjesht me iniciativë të komisionit, duke qenë se debati politik nisi për këtë proces menduam, thjesht është përgjegjësi e jona, të mos e realizonim atë në mënyrë që të mos i hidhnim benzinë zjarrit, duke qenë se edhe ligji nuk kishte afate kohore të përcaktuara. Por është thjesht iniciativa jonë, pasi u ndodhëm në këto kushte”, tha Ristani. Kryekomisioneri ndërkohë ka fajësuar partitë politike në lidhje me standardet e zgjedhjeve, pasi ndërrimi i shpeshtë i tyre ka bërë që dhe procesi i numërimit të mos jetë ai i duhur. “Nëse nuk eliminohet ndikimi politik, nuk i shmangim dot proceset negative. Ndonëse kanë ndikuar te cenimi i standardeve, megjithatë këto negativitete nuk ndikuan në rezultat. Fakti që nuk kemi kontestim mbi procesin e numërimit tregon se ai ishte i rregullt. Të jeni të sigurt për një gjë, ka pasur vonesa në numërim, bllokime të numërimit, hyrje të njerëzve të paautorizuar, por me 100 për qind garanci, numërimi ka qenë korrekt dhe i pamanipuluar”, theksoi Ristani. Për qëndrimin e PS-së për mosnjohjen e rezultatit, për shkak të manipulimeve si dhe për akuzat ndaj anëtarëve në KZAZ dhe KQV, kryekomisioneri i cilësoi si thashethemnaja. “Unë kam bindjen e plotë se sistemi nuk ka çaluar dhe ka kryer funksionin, por fakti është se nuk ka pasur shkelje. Do shtroja një pyetje retorike? Kur veshi dhe syri i gjithë atyre që flasin për procesin ka qenë i mishëruar te komisionerët, vëzhguesit dhe kandidatët për deputetë nuk kanë konstatuar gjë, nuk e di se si mundet që njerëz të tillë jashtë procesit ta kontestojnë atë? Kështu, që përveç se një thashethemi të madh, unë kam ç’përgjigje që t’i jap, ajo që ka ndodhur është ajo që është në materialin zgjedhor. Tjetër gjë nuk ka ndodhur”, tha Ristani.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Mesila Doda, PD: Pse nuk janë djegur fletët e votimit? Përse nuk është zbatuar neni i Kodit Zgjedhor?
Arben RistaniSigurisht ka qenë në vëmendjen e KQZ për ta realizuar dhe këtë pikë të ligjit dhe për hir të së vërtetës thjesht me iniciativë të komisionit, duke qenë se debati politik nisi për këtë proces menduam, thjesht është përgjegjësi e jona, menduam të mos e realizonim procesin në mënyrë që të mos i hidhnim benzinë zjarrit, duke qenë se edhe ligji nuk kishte afate kohore të përcaktuara. Por është thjesht iniciativa jonë, pasi u ndodhëm në këto kushte.
Enkelejd Alibeaj, PD: Nga ana e PS-së nuk njihet rezultati i zgjedhjeve, me arsyetimin se pjesa e vetë komisionerëve të vet nuk ka qenë korrekt me ligjin, me detyrimin e tyre dhe me besnikërinë e tyre politike, ndaj dhe rezultati është i qortueshëm. PS ka thënë që edhe vartësit tuaj nuk e kanë zbatuar ligjin. Ju keni ndonjë opinion për rregullshmërinë e veprimtarisë së këtyre njerëzve?
Arben Ristani: Duhet të ndajmë në radhë të parë procesin që lidhet me sistemin dhe atë që lidhet me thashethemnajën. Për atë që lidhet me sistemin, ai është i tillë, se çdo shkelje që mund t’i ndodhë ligjit, nuk ka gjasa apo shanse pa u evidentuar. Duke qenë se procesi administrohet nga disa palë janë gjithmonë prezent. Kështu që nuk ka asnjë shans, përveç palëve që janë vëzhgues, kandidatët për deputet, të cilët për mënyrën se si është ndërtuar sistemi dhe ligji kanë të gjithë të drejtën të lenë gjurmë në materialin zgjedhor për shkeljen që mund të ketë ndodhur. Për sa kohë nuk ka asnjë gjurmë të tillë, është absolutisht e sigurt që nuk ka pasur shkelje. Sepse mënyra se si është ndërtuar sistemi, nuk lë vend për të shmangur shkelje. Në këtë kuptim, unë kam bindjen e plotë se sistemi nuk ka çaluar dhe ka kryer funksionin, por fakti është se nuk ka pasur shkelje. Do shtroja një pyetje retorike? Kur veshi dhe syri i gjithë atyre që flasin për procesin ka qenë i mishëruar te komisionerët, vëzhguesit dhe kandidatët për deputet nuk ka konstatuar gjë, nuk e di se si mundet që njerëz të tillë jashtë procesit ta kontestojnë atë?. Kështu që përveç se një thashethemi të madh, unë kam ç’përgjigje që t’i jap, ajo që ka ndodhur është ajo që është në materialin zgjedhor. Tjetër gjë nuk ka ndodhur.
Eduart Halimi, PD: Si i keni pasur marrëdhëniet me Prokurorinë?
Arben Ristani: Do të doja që veprimi të ishte i fortë dhe i shpejtë. Unë deri tani kam konstatuar një veprim jo të barabartë, në rastin e një hetimi në Fier. Kallëzimi që KQZ ka bërë në shkeljet e ligjit nuk është trajtuar njësoj me komisionerët e asaj qendre. është një standard i përdorur në këtë rast. Për njërin grup, komisionerët kanë kërkuar masë, ndërsa për grupin tjetër jo. është trajtim me dy standarde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›