E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet, zgjedhja e profilit nga nxënësit me firmën e prindërve

 

ZIRINA LLAMBRO

U duhet të zgjedhin mes profilit shoqëror dhe atij shkencor në fund të vitit të dytë. Por nuk u mjafton vetëm ajo çka dëshirojnë. Në kërkesën që gjimnazistët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Shkollës duhet me patjetër edhe firma e prindërve. Ndaj më parë duhet të konsultohen e jo të bëjnë me kokën e tyre. Ky rregull, sipas specialistëve të Drejtorisë Arsimore, është vendosur për shkak të moshës që kanë nxënësit dhe në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjen e duhur. "Prindërit i dinë më mirë aftësitë e adoleshentëve e për rrjedhojë këshilla e tyre mund ti ndihmojë të bëjnë zgjedhjen e duhur", sqarojnë specialistët. Ata theksojnë se një tjetër tregues do të jenë edhe rezultatet, "është normale që një nxënës që në vit të parë dhe të dytë të shkollës së mesme, që ka pasur rezultate të mira në matematikë e fizikë, të zgjedhë profilin shkencor", thonë ata. Tashmë që gjimnazi është 3 vjet, viti i fundit i profilizuar do të jetë mjaft intensiv. Sa i përket procedurave, Drejtoria Arsimore sqaron se ata duhet të dorëzojnë pranë drejtorisë së shkollës kërkesën për profilin ku duan të ndjekin mësimin gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Kalimi i nxënësve në vitin e III-të do të shoqërohet edhe me një ndarje të re të klasave, çka do të sjellë kategorizimin e nxënësve me prirjet drejt shkencave ekzakte (profili natyror) dhe ata që kanë prirjet në formimin teorik (profili shoqëror). "Përzgjedhja e profilit do të jetë individuale, sipas kërkesës së bërë nga vetë nxënësi, i cili duhet të dorëzojë shkresën e plotësuar së bashku me miratimin e prindërve, se në cilin profil do të vijojë shkollën", sqarojnë specialistët. Ata nënvizojnë se me mbledhjen e të dhënave do të  përcaktohet programi i ri mësimor që do të ndiqet në to gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Secila prej shkollave të mesme, pas mbylljes së këtij procesi, do të dorëzojë pasqyrën pranë Drejtorisë Arsimore të rrethit, ku do të jenë të hedhura të gjitha të dhënat në lidhje me kërkesat e bëra për ndarjet e profileve. "Mbi bazën e kërkesave do të ripërcaktohet edhe shpërndarja e mësuesve që do të japin mësim në këto shkolla, duke realizuar kështu shpërndarjen sipas nevojave reale të shkollës", pohojnë specialistët e Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Ndryshe nga më parë, këtë vit profilizimi do të zgjasë vetëm një vit e jo dy, siç aplikohet që prej më shumë se 6 vjetësh. Fillimisht kjo reformë u pilotua në disa prej shkollave më në zë e më tej u shtri edhe në rrethe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›