E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët kthehen pas 4 ditësh në det, 57 pyeten në polici

 

DURRES/ OERD ULQINI

Ankorimi i tragetit "Venezia" që kishte në bord studentët e refuzuar shqiptarë nga zona "Schengen" është kryer në orën 11:50 të së dielës nën masa të rrepta sigurie. Pas 4 ditësh në det përfundoi aventura e dhimbshme e të nisurve në një ekskursion në Evropë. Menjëherë pasi zbritën në portin e Durrësit, 57 persona që nuk kishin statusin e studentit, por ishin maskuar me grupin universitar janë shoqëruar direkt në Komisariatin e portit, për t'iu nënshtruar procesit identifikues, mes të cilëve është parashikuar marrja e gishtave dhe intervista. I gjithë grupi prej 57 vetësh u transportuan me furgonët e policisë nga sheshi i trageteve e deri në komisariat. Pjesa e mbetur është dërguar me autobusë të veçantë drejt Tiranës, nën shoqërimin e vazhdueshëm të policëve. Kanë përshkuar jo pak, por një itinerar që përkon me 1200 milje detare, nga Durrësi në Trieste vajtje dhe kthim. Kanë lundruar nga poshtë lart Adriatikut dhe anasjelltas për t'u rikthyer pas plot 96 orësh në pikën e nisjes. Aty në Durrës ka filluar dhe mbaruar "odiseja" e 170 të rinjve, shumica studentë të 3 universiteteve private, të cilëve iu anulua viza "Schengen" e ambasadës hungareze, teksa ata ndodheshin në mes të detit. Bashkë me të ka shkuar në "erë" edhe paketa turistike e paguar nga secili prej tyre me një vlerë prej 550 eurosh. "Duam rimbursimin. Na morën në qafë. Kemi ndenjur si në burg për katër ditë. Jemi të rraskapitur. Vetëm kur ishim në mes të detit na thanë se vizat janë anuluar dhe do të kthehemi prapa", tha një student, i cili preferoi të mbetej anonim. Në paketën turistike prej 550 eurosh ishte parashikuar një guidë turistike në tre vende të Evropës, duke nisur nga Italia në Slloveni e në Austri. "Ky është një persekutim i madh që u bëhet shqiptarëve. Policia le të kapë të kërkuarit, por ne të tjerëve të na lerë në punën tonë", u shpreh një tjetër. Trageti "Venezia" ka ngritur spirancën në orën 13:00, të së shtunës, duke marrë kursin drejt ujërave shqiptare. Ai ka mbërritur në Durrës mesditën e së dielës, falë edhe kushteve të favorshme të lundrimit. Gjatë të gjithë kësaj kohe studentët nuk e prekën kurrë tokën italiane, ndaj në Durrës u shprehën se "ishin shumë të lodhur nga qëndrimi i gjatë në anije". Gjatë zbarkimit të studentëve policia kishte rrethuar krejtësisht sheshin e trageteve. Menjëherë u bë verifikimi i personave që nuk rezultonin studentë, mes të cilëve nuk kishte të kërkuar. Burime të policisë së Durrësit pohuan se ata u morën në pyetje mbi mënyrën si e kanë siguruar vizën. Ata kanë treguar se qëllimi nuk ishte të kalonin në shtetet fqinje si klandestinë, por të ktheheshin pas bashkë me grupin e studentëve. Policia mori dëshmitë e tyre dhe i la të lirë brenda një kohe të shkurtër, për shkak të gjendjes së rënduar fizike në të cilën ndodheshin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›