E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia 250 milionë euro mund të shlyhet me borxh të jashtëm

 

Qeveria shqiptare mund të marrë një borxh tjetër për të shlyer kredinë 250 milionë euro të marrë nga bankat. Sipas planit të financave, në rast se tregjet ndërkombëtare do të kenë një qetësim gjatë muajve në vijim, atëherë qeveria do të emetojë eurobono. Kjo një mënyrë e zbutur e borxhit, por duke qenë se koha është e shkurtër për shlyerjen e tij, atëherë edhe mundësitë janë të vogla. Në një prononcim për mediat, zv.ministri i Financave, Shehu, theksoi se shumica e kredisë do të përdoret për financimin e pjesës së mbetur të rrugës Durrës-Kukës. "Kredia në pjesën më të madhe do të përdoret për investime dhe në marrëveshje në mënyrë të posaçme rruga Durrës-Kukës, pasi ky është projekti më madhor, më vizibël, të cilit i besojnë dhe donatorët. Përveç rrugës Durrës-Kukës, në tërësinë e vet kjo shkon për objektet e rëndësishme infrastrukturore, pasi ato zënë peshën më të madhe në buxhetin e shtetit, rreth 60 për qind të programit të investimeve publike. Por nuk kemi një lidhje të drejtpërdrejt që do themi do marrim këtë shumë nga kredia e do ta çojmë në këtë projekt". Nga ana tjetër, Shehu nënvizoi se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe ndër më të mirat në Evropë. Duke iu referuar raportit të FMN-së, ai nënvizoi se "ndërsa e gjithë Evropa, si pjesa e zhvilluar, si pjesa në zhvillim kanë rënie të theksuar të rritjes ekonomike, ndërkohë që vetëm Shqipëria dhe Qipro kanë rritje pozitive, sipas FMN-së. Rritja e Qipros është 0.3, ndërsa e Shqipërisë 0.4. Ky fakt është i njohur se është vetëm Shqipëria që ka rritjen më të madhe në gjithë Evropën". Por sipas Shehut, raporti i FMN-së ka konfirmuar edhe një pjesë tjetër të zhvillimit. "Ka një gjë tjetër interesante në këtë raport, sepse atje jepet dhe historia e viteve të mëparshme, që ndryshe nga shifrat që kanë qenë në marrëveshjet dhe deklarimet që janë bërë nga FMN-ja, këtu shohim që FMN-ja ka folur për rritje deri në 6 për qind të Shqipërisë, ndërsa për vitin 2007 ka raportuar 6.3 për qind dhe 2008, 6.8 për qind".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›