E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura,caktohen sallat e provimeve

 

Ambientet ku maturantët do të japin provimet do të caktohen   nëpërmjet një liste të posaçme. Kjo listë do të hartohet nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Burime prej saj bëjnë me dije se lista do të bazohet në rendin alfabetik të nxënësve për çdo shkollë të mesme të vendit. Hyrja dhe ndarja e çdo kandidati nëpër klasa ditën e provimit do të bëhet duke ndjekur detyrimisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Ashtu siç është vepruar dhe në rregulloren e vitit të shkuar, kandidatët për studentë që do të përfshihen në provimet e Maturës, qofshin këto të detyruara apo me zgjedhje në ditën e provimit, duhet të kenë një mjet identifikimi. Për mbarëvajtjen e zhvillimit të provimeve të Maturës, AVA ka hartuar edhe listën me kodet identifikuese për të gjithë kandidatët që këtë vit do të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike të vendit. Të dhënat e AVA-s tregojnë se këtë vit janë rreth 47 mijë maturantë që kanë aplikuar për provimet e Maturës. Muajin që vjen pritet të nisë edhe plotësimi i formularit A2, me anë të të cilit nxënësit do të zgjedhin se në cilat degë do të vazhdojnë shkollën e lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›