Gjimnazistët e Beratit bojkotojnë mësimin, "S'na lejojnë të shkojmë në Sarandë"
BERAT-Kanë bojkotuar mësimin gjimnazistët e Beratit dhe janë të vendosur ta bojkotojnë atë derisa Drejtoria Arsimore në Berat t'u plotësojë kushtet. Nxënësit me rastin e përfundimit të studimeve në shkollën e mesme kanë vendosur të shkojnë në ekskursion në Sarandë. Por nga Drejtoria nuk është dhënë miratimi për këtë aktivitet. Drejtori i shkollës së mesme të përgjithshme "Kristaq Capo", Yzedin Hima ka deklaruar për Shekullin se 'vitin e kaluar ka pasur probleme me nxënësit, pasi kanë dalë jashtë kontrollit të mësuesve dhe për këtë arsye nuk mund t'i lejojmë nxënësit sivjet që të shkojnë në ekskursion'. Me gjimnazistët e 'Kristaq Capo' janë bashkuar edhe gjimnazistët e "Babë Dudë Karbunara", për të njëjtën arsye.
"Nuk duam t'ia dimë se cfarë ka ndodhur vitin e kaluar, duam të dimë se çfarë do të bëhet sivjet"-ka thënë një prej nxënësve, Fajton Elezi. Nxënësit kanë kërcënuar se nëse nuk do t'iu lejohet aktiviteti ata do të bojkotojnë mësimin deri në fund të sezonit mësimor. "Nëse nuk do të na lejojnë të shkojmë në Sarandë do të bojkotojmë mësimin"- u shpreh Foni Picinani, gjimnazist i "Kristaq Capos". Gjimnazistët kanë kërkuar që të mos jenë vetëm në këtë aktivitet por kanë kërkuar që përveç mësuesve të jenë edhe policë që do t'i shoqërojnë në ekskursion.Sulo Gozhina