E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa: Më shumë vëzhgues në zgjedhjet e ardhshme

Kryetari i Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka pritur në një takim shefin e ri të misionit të OSBE-së në Prishtinë, ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, me të cilin ka diskutuar për ecuritë politike në vend, me theks të veçantë, punët që po bëhen në reformën kushtetuese dhe zgjedhore.

Në këtë takim, sipas një njoftimi për media, kryetari Mustafa ka falënderuar ambasadorin Schlumberger për kontributin e OSBE që ka dhëne dhe po jep në demokratizimin e shoqërisë tonë.

Mustafa ka kërkuar nga ambasadori Schlumberger një angazhim shtese të OSBE-së në proceset në Kosovë, sidomos kur është fjala për reformën zgjedhore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Me këtë rast, Mustafa ka kërkuar nga ambasadori Schlumberger që OSBE-ja të angazhojë një numër më të madh të vëzhguesve në zgjedhjet e ardhshme, pasi sipas tij, angazhimi me i madh i OSBE me vëzhgues, do të ndikonte në zvogëlimin e manipulimeve dhe si rezultat zgjedhjet do të ishin me kredibile dhe me të pranueshme për të gjitha subjektet politike në vend.

Nga ana e tij, ambasadori Schlumberger tha se OSBE do të përkrahë këto procese në çfarëdo forme që është e mundshme, ndërkohë që theksoi se është në dorën e liderëve politikë që të punojnë më shumë në përfundimin e çështjeve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›