E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjin Marku:Më ka mbetur peng vrasja e pastorit Dritan Prroni

TIRANE- Gjin Marku është njeriu që ka marrë përsipër një detyrë sa të vështirë po aq edhe fisnike, të drejtojë Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, të merret me strategjitë e të koordinojë punën për të zhdukur këtë plagë të rëndë të shoqërisë që merr cdo vit qindra viktima. Historia e tij është interesante, njerëzore, ka dinamik, por edhe situata ku ndjehet fajtor. Për të zbuluar më shumë mbi njeriun e Pajtimit Mbarëkombëtar, ne kemi mundur që përmes kësaj interviste të sjellim detaje interesante nga jeta e tij.
Kush është Gjin Marku, njeriu që sot drejton Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar?
Unë kam lindur në fshatin Ziq të Mirditës, një fshat i vogël, por me shumë histori, i njohur si kryeqendra e shtetit të Arbrit. Në kishën e fshatit tim, janë gjetur dëshmitë e rralla e mbase të vetme të formimit të shtetit të Arbrit. Jam rritur në një familje të varfër fshatare. Babai im ka qenë korrier dhe ka punuar si xhandar në kohën e Zogut. Edhe gjyshi im ka qenë prej 30 vjetësh rrogëtar i kishës së Rubikut që varej nga Arqipeshkvia e Shkodrës. Ai na ka njohur që në vogëli me shqimet e Fishtës e Mjedës. Jemi rritur që në vogëli me një kulturë e edukatë katolike. Mbaj mend që gjatë fëmijërisë time, madje deri më 1976 ne në shtëpi aplikonim uratën para se të binim në gjumë, kur zgjoheshim edhe para çdo vakti.
Keni qenë të prekur gjatë regjimit meqë babai ka punuar në xhandarmërinë e Zogut?
Falë miqësisë që kishim me familjen e Bardhok Bibës, me të venë e tij dhe vajzën, ne ndjeheshim të mbrojtur. Ato gjithmonë na dilnin në krah, pasi për të qenë të vërtetë babai im mori pjesë edhe në luftë kundra partizanëve, ishte në shërbim të gjermanëve kundra Brigadës së Parë. Po kështu, edhe gjyshja ime ishte një antikomuniste e devotshme që ndihmoi për 10 vjet me radhë me ushqime e veshmbathje bashkë me gra të zonës, reaksionin. Vëllai i gjyshes time po ashtu. Ai ishte një nga pajtimtarët model, Ndue Pjetri i katundit i thoshin dhe e kujtoj kur vinte në shtëpi me mjekër të bardhë, mbi një kalë të bardhë e sa herë zbriste donte t'i shtinim ujë, për të larë kokën sepse nga rruga me kalë i ishte bërë me pluhur. Portreti i tij më duket si legjendë kur e mendoj tani. I jemi mirënjohës veçanërisht të vesë së Bardhok Bibës, vajzës e më pas shokëve të tij, që na kanë përkrahur gjithmonë.
Meqë jemi në këtë linjë dua t'ju pyes pasi jemi njohur me disa vargje të cilat janë; Bardhok Bibën kur e vranë, rroftë partia desh me thanë... Ishte apo jo komunist Bardhoku?
Më vjen mirë që më rikthyet te vrasja e Bardhok Bibës. Gjyshja ime ishte antikomuniste, por kur kujtonte vdekjen e tij qante, jo vetëm se e kishte njohur personalisht, por sipas saj ai ishte një djalë i jashtëzakonshëm. Ai përfaqësonte derën e parë, derën e Gjon Markut, sepse vinte nga ajo familje. Vendimin për ta vrarë Bardhok Bibën nuk e ka marrë populli Mirditës as krerët e reaksionit, por pikërisht dera e Gjon Markut, kushërinjtë e tij, të cilët e quajtën tradhtar. Momenti i vrasjes së tij i 14 burrave, më 1949, në sy të popullit dhe hedhja e tyre në një gropë të përbashkët ka qenë moment shumë i trishtë për Mirditën. Edhe pas mbarimit të Luftës Nacional Çlirimtare, Bardhok Biba u përpoq për njerëzit e tij, madje edhe për ata që kishin qenë të lidhur me reaksionin. Bardhoku kishte mbi 600 burra në besën e tij, të cilët diktatura nuk i preku. Virtytet e të atit i ka trashëguar shumë mirë dhe e bija, Maria, e cila kur vdiq ai ishte vetëm 2 vjeç, dhe që ka një reputacion të jashtëzakonshëm në zonën tonë. Kjo derë u paragjykua edhe për vrasjen e Ded Gjo Lulit pasi duhej ta mbronin, por gjithsesi kishte dhe shumë faktorë ekonomikë, që ndikuan në këtë implikim të tyre pavarësisht se Mirdita e konsideronte derën e Gjon Markut si derë të parë të Kanunit dhe të principeve, rregullave, normave të jetës kanunore shqiptare.
Sa keni qenë i lidhur me shkollën në vogëli?
Kam pasur edhe një xhaxha arsimdashës dhe shumë të kulturuar, akademik, që na ka injektuar dashurinë për shkollën. Ai bëri Akademinë Ushtarake më pas edhe dy universitete për Psikologji e Histori, por sigurisht që nuk pati shumë mundësi pasi shpesh zbulohej biografia e tij. Ai iku nga fshati, ndryshoi edhe mbiemrin, por sërish zbulohej identiteti i vërtetë.
Si përfunduat nxënës i Liceut Artistik pa u marrë kurrë me pikturë?
Mësuesi im i matematikës Apostol Koleci më kishte pikasur mprehtësinë për shkencat ekzakte dhe unë doja të shkoja në gjimnaz, por kjo nuk ishte e mundur nga udhëzimet e kohës ku vetëm dy vetë nga familja përfitonin. I vetmi shans që kisha, ishte të konkurroja në Lice për pikturë. Mësuesi im më nxiti ta bëja këtë zgjedhje, thjesht sepse ai mendonte që unë s'duhet të mbesja i paarsimuar. Sigurisht konkurrova, e nxiva letrën që më kishin dhënë për të pikturuar. Mbaj mend që m'u afrua profesori Janaq Paço, të cilin e kujtoj me shumë respekt. Ai ishte kryetari i komisionit dhe më tha; Gjin pse e ke nxirë letrën, pse do të mbarosh kaq shpejt, nuk ke pasur mësues vizatimi në fshat? Dhe, unë iu përgjigja; - Jo s'kam pas kurrë. Çuditërisht pas dy muajsh më vjen përgjigjja që kisha fituar të drejtën e studimit. Sipas fjalëve që dëgjova më vonë ishte profesor Janaqi, ai që kishte dhënë miratimin për mua, duke e argumentuar se në fshatin tim s'kishte mësues vizatimi, por sipas tij nga mënyra se si djersija mbi letrën që e kisha nxirë, mund të bëhesha artist i mirë. Unë sot e kësaj dite e kujtoj me shumë respekt, mundësinë që më dha dhe të gjithë punën që bëri me ne, nxënësit e tij. Disa vite më pas, mora vesh që kishte diçka në biografinë e tij, që se linte të lakohej për vlerat e mëdha që kishte, pavarësisht se ishte skulptori dhe artisti më i mirë me kulturë perëndimore. Dhe sot kur shkoj në Krujë e krahasoj monumentin e Skënderbeut atje, me këtë të Tiranës, e kuptoj shumë mirë ndryshimin, shpirtin që i ka dhënë profesor Janaqi, monumentit të Krujës.
Si ndihej një djalë nga fshati në Lice, që në atë kohë ishte shkollë shumë e privilegjuar?
E kujtoj me shumë nostalgji atë kohë, dhe shpesh shkoj me këmbë andej, në lagjet ku shëtisja. E vetmja gjë që e ndjeja veten keq ishte varfëria, pamundësia ekonomike e familjes, të cilën e ndjeja edhe më shumë në blerjen e bazës materiale. Pavarësisht se ne na jepte shkolla, sërish blinim vetë bojëra e penela pasi i konsumonim shumë shpejt. Megjithatë, gjatë tre muajve të verës unë punoja mbi 16 orë në ditë në mbledhjen e bimëve medicinale, aq sa kur kthehesha në shtëpi numëroja hapat nga stërmundimi. Paratë që mblidhja më dilnin jo vetëm për të blerë veshje e bazën materiale, por edhe për t'u lënë ndonjë gjë prindërve. Kjo ka qenë një periudhë e vështirë, por edhe shumë e bukur në lidhje me artin dhe pedagogët. Kujtoj me respekt Eno Koçon, të cilin e shihnim me adhurim. Ai kishte diçka në biografi e kur me një letër të Enver Hoxhës, u bë rehabilitimi i tij, ne u gëzuam të gjithë pa masë. Po kështu, kishim dhe pedagogë të tjerë si Naxhi Bakalli, Janaq Paço siç e përmenda më lart, Ramadan Sokoli që punonin me shumë përkushtim dhe e shihja sa shumë na donin. Kam pasur një shoqe klase, Anila Katin, e cila ishte vajzë qytetare, shumë e bukur, por kurrë nuk diti të na nënvleftësonte, ishte e dashur, na merrte dhe në shtëpinë e saj. Jam ndjerë mirë edhe me familjet tiranase kur shkonim në rrugicat e tyre për të skicuar e kur nënat me shaminë e bardhë në kokë na sillnin ujë e ndonjë copë buke me djathë apo diçka tjetër. Ne ishim në një moshë që rriteshim ndaj ajo bukë më kujtohet si një gjë shumë e shtrenjtë.
U bëtë piktor pas 4 vitesh Lice?
Dy vitet e fundit unë u drejtova në skenografi dhe punoja me përkushtim. Është e çuditshme që në Liceun Artistik mund të gjendet sot e kësaj dite, puna ime e diplomës, e cila u ndoq edhe nga TVSH-ja.
Si shkoi më pas jeta juaj?
U ktheva në Mirditë pas mbarimit të shkollës, por u zhgënjeva së tepërmi pasi nuk kishte punë për piktor. Më çuan mësues në një zonë shumë të thellë, më pas ushtar duke m'i hequr, mohuar të gjitha të drejtat për të vijuar Akademinë e Arteve. Pata një moment të vështirë, ekuilibrat m'u prishën, dhe gati-gati kalova në një gjendje rebelimi. Aty filluan dhe karakteristikat kundra meje, si njeri që nuk është i kënaqur me moralin, shumë rebel, që thyen disiplinën, nuk merr pjesë në punë... Më është dashur të sakrifikoj shumë më pas për të marrë një të drejtë studimi falë mikut tim, që ishte sekretar i Komitetit Ekzekutiv. Vazhdova gjuhë-letërsinë, për të qenë më pranë artit. Nga arti në thelb më shkëputën, por sot kur jam në një ekspozitë pikture bie një kile nga pesha. Më pas vijuan përpjekjet për të mbijetuar, për të ndërtuar familje...
Ju jeni kryetari i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, një mision shumë i rëndësishëm që ne e identifikojmë me emrin e Anton Çetës... Të jesh pasardhës i tij, çfarë do të thotë për ju?
Figura ime është shumë e brishtë para asaj të Anton Çetës. Ai qe djali i një familjeje të thjeshtë, por shumë akademik, njeri shumë i madh dhe e meriton respektin, që gëzon jo vetëm në Kosovë por te i gjithë populli shqiptar. Më vjen mirë që eci në rrugën e tij dhe jam munduar me mish e me shpirt të përhap kulturën dhe traditën shqiptare të zakonit të të marruarit vesh me njëri-tjetrin e jo rrugën e konfliktit.
Si arritët në këtë punë, fillesa juaj?
E para që dua të them është se jam rritur dhe edukuar në familje me zakonin e mirë, me tolerancën maksimale, për të gjitha fenomenet që shfaqen në shoqëri e që sjellin tragjedi. Gjyshja na ka pas mësuar që të vegjël se është mëkat të përgojosh, vajzën apo gruan e dikujt, nëse nuk merr në mbrojtje viktimën, nëse nuk bëhesh palë me atë që e sulmon shumica, nëse nuk mbron të dobëtin, por të fortin dhe këto biseda më ishin ngulitur shumë në mendje. Më pas deri në vitin 1990 jam marrë me kulturën në fshat, me traditën e zakonet dhe aty u njoha me rëndësinë e pashë çfarë perle është e drejta zakonore shqiptare, rregullat e organizimit të shoqërisë shqiptare dhe protokollet e ceremonive të ndryshme dhe ajo më ka bërë të adhuroja dhe misionin e Anton Çetës. Një moment i rëndësishëm ishte viti 1992 kur unë ndoqa me vëmendje pajtimet e para dhe isha i shqetësuar, pasi në atë kohë punoja në Shërbimin Inteligjent në burimet e informacionit. Duke e parë këtë fenomen si shqetësim e trajtova përballë qeverisë dhe shtetit dhe në atë kohë kryetari i nderit Bashkim Gazidede më thirri dhe më tha që ta ndalojmë si praktikë. Edhe unë isha i shqetësuar se mundej që ndoshta procesi i pajtimit të degjenerojë në reflektimin e gjakmarrjeve si praktikë, por duke e biseduar gjatë e trajtuam si një problem që duhet të merreshim me zakonet e traditën dhe ta formonim shoqërinë me ndjenjën që zakonet e mira duhen promovuar. Që në atë moment ndoqa trajektoren e gjakmarrjeve, si shkonin tendencat.
Pse ikët nga SHIK-u?
Për arsye të qëndrimeve të mia krejt të vendosura dhe të qarta në të drejtën, pasi nuk mund të pranoja që politika të sulmonte shtetin dhe aty ishin konfliktet e para të miat me qeverisjen dhe administratën ku punoja. Lirimi im nga detyra ishte absurd pasi unë mora në mbrojtje një familje, që po e dhunonte SHIK-u dhe unë u "akuzova" se nuk mbroja interesat e institucionin që më kishte punësuar.
Po më pas?
Për pak kohë punova si këshilltar i firmës VEFA, dhe aty për herë të parë kam nisur me një makinë shkrimi të punoja me shoqërinë civile si koordinator apo ndërmjetës mes disa shoqatave të ndryshme që kishin nisur pajtimet. Për tre vjet gjysma e banesës sime ishte hotel dhe në mëngjes kthehej në zyrë. Në vitin 2000 u organizua një konferencë kombëtare nga organizatat që merreshin me pajtimin. Unë nuk mora pjesë pasi i dija problemet dhe s'doja të mbaja anën e askujt, sepse isha koordinator për të gjithë. Mbaj mend që në atë kohë ish-presidenti Meidani edhe i shqetësuar pas konferencës së pajtimit. Më pas Spartak Poçi rikujtoi se kishte ekzistuar një celulë koordinimi si komitet në Tiranë dhe hodhi idenë që unë si me eksperiencë në këtë fushë të ngrija një komitet që të orientojë një strategji të qartë për pajtimin e gjaqeve. Më pas me ne u bashkuan shumë profesorë të nderuar si: Luan Omari, Ylli Popa, Et'hem Ruka, Afërdita Jonuzi, Shaban Demiraj ... Ne kemi një strategji të qartë tashmë. Jemi munduar që vlerën e marrëdhënieve të mira në komunitet, traditës shqiptare për vendosjen e rregullit ta bëjmë element mbështetës ndaj shtetit. Gjakmarrja është në një farë mënyre dhe revoltë e keqadministrimit të vullnetit të popullit, votës së tyre, të dëshirave të tyre. Ata nuk gjejnë të drejtën për pronën e mohuar, vajzën e dhunuar, vëllait të vrarë, punën e humbur...Pra, ka shumë gjëra që e prekin drejtpërdrejtë të drejtën e qytetarit.
Pra, ju mendoni se shteti është përgjegjës për gjakmarrjen?
Absolutisht nuk është populli përgjegjës për gjakmarrjen. Ky fenomen është pasojë i kërkesës së popullit për drejtësi. Në Shqipëri është dhunuar barbarisht e drejta dhe drejtësia.
Kur ka qenë hera e parë që keni dëgjuar për gjakmarrjen?
Kam qenë fare i vogël, e kujtoj edhe sot me shumë trishtim atë burrë që ne e njihnim që ishte shumë i mirë, por që kishte bërë dy vite burg sepse kishte vrarë një njeri. Gjyshja aktin e tij e konsideroi çnjerëzor. Ai nuk flinte gjumë për atë që kishte bërë dhe ne e shihnim me qortim, por edhe me keqardhje. Më vonë pastaj në 1975 më ka bërë përshtypje një vrasje kur një burrë 60 vjeç vret një djalë të ri 20-vjeçar. Ato punonin në të njëjtën brigadë, njiheshin, shtëpitë i kishin afër dhe atë ditë i kishin çuar të bënin një detyrë bashkë. Ai vrau një djalë të pafajshëm që nuk e dinte se gjyshi i tij, i kishte vrarë babain shokut të punës para shumë vitesh, dhe ky i fundit edhe pse hanin në një vend bashkë, e vrau. E kujtoj atë moment sepse populli Mirditës ishte shumë i revoltuar e kudo diskutohej që ai duhej var.
Si ka qenë raporti i gjakmarrjes në kohë të Enverit?
Mund të them i pa konsiderueshëm. Njerëzit atëherë besonin se ishte shteti ai që merrte hak për to. Një vrasje aksidentale dënohej me 7 deri 25 vjet burg e dihej që vrasësi do vuante dënimin e jo të lirohej siç ndodh rëndom sot.
Cili ka qenë pajtimi i parë që keni qenë vetë protagonist?
Ka qenë viti 2000 në Krutje të Lushnjës.
Sa pajtime janë bërë deri më sot?
Pajtimet janë me qindra në vit, janë të panumërta.
Po në raport me vrasjet?
Raporti është 1 me tre. Pra, 1 gjak i marrë me tre pajtime familjesh.
Kush është vendi në Shqipëri me tipare më të forta gjakmarrjeje?
Mund të them që janë rrethet e Veriut, por ky mentalitet ekziston po shumë i madh edhe në Jug. Madje na ka bërë përshtypje që mes dy fiseve në Fier edhe Berat për 3-4 vjet ka pasur 26 viktima.
Sa viktima ka nga gjakmarrja, 10 mijë e 70 viktima.
Po dy vitet e fundit si është raporti?
Që pas zgjedhjeve të 2009-ës kemi shtim të numrit të vrasjeve. Kriza politike dhe kriza ekonomike janë shkaqet kryesore në shtimin e stresit dhe tronditjen e ekuilibrave.
Sa njerëz janë të ngujuar nga gjakmarrja?
Sot për sot janë 1650 familje, 200 prej tyre të shtuar këto 2 vitet e fundit.
Sa fëmijë të pashkolluar ka lënë gjakmarrja?
Janë 930 fëmijë që nuk shkojnë në shkollë për shkak të hasmërisë.
720 prej tyre punojnë të qarkulluar në rrethe të ndryshme të vendit për të mbajtur familjen, ndërsa 120 po nga ky numër janë tërësisht të izoluar nga gjakmarrja.
Cili ka qenë rasti më i dhimbshëm i gjakmarrjes?
Për mua të gjitha rastet janë të dhimbshme, megjithatë do të veçoja vrasjen e fëmije 14 vjeç nga Shkodra, që u vra duke mbushur ujë dhe një djali 18-vjeçar nga Fushë-Arrësi, i cili u vra ditën që mbushi 18 vjeç. Pesë vjet më parë vëllai i tij kishte vrarë një pjesëtar të një familjeje tjetër dhe gjaku u ruajt. Nëna e viktimës pat dhënë fjalën që mbi të s'do gjuhej deri sa të mbushte 18 vjeç se ishte fëmijë dhe ditën kur ai i mbushi, u qëllua për vdekje.
Keni pasur raste kur jeni ndjerë keq?
Po kam pasur një rast shumë të veçantë, ku kam ndjerë shqetësim të jashtëzakonshëm, mund të them se atë ditë nuk kam fjetur gjumë, ditën që në Shkodër u ekzekutua pastori Dritan Prroni. Një muaj para ndodhisë, një njeri shumë i afërt i familjes më ka ardhur dhe më ka thënë që duhej të flisja me të atin e Dritanit, pasi ai është shumë i shqetësuar sepse i kanë ardhur fjalë që mundet që ti vrisnin një nga djemtë e tij. U lidha e fola rreth gjysmë ore me të atin e Dritanit i cili më tha se kishte bërë çdo gjë për ta bindur të birin që të ngujohej sepse i kishin ardhur fjalë. Ai mu lut të flisja me të birin dhe ta bindja që të ngujohej. I thashë të atit që isha në pozicion shumë të vështirë. I thashë që shteti ka një ligj që kërcënuesin me vrasje duhet ta dënojë me tre vjet burg dhe Dritani kishte të drejtën të më denonconte sepse do e kisha paralajmëruar për vrasjen pa i thënë se kush janë agresorët, që në fakt si dija, por ai kishte të drejtë të mi kërkonte. Atë ditë që e kanë vra, unë isha në konferencën e jashtëzakonshme të Pajtimit dhe e mora vesh vrasjen e tij, ende pa mbaruar konferenca. U ndjeva fajtor dhe mendova që fundja-fundit duhet të kisha bërë një shkelje, ta merrja e ta lidhja me dorën time diku, që të mos gjendej, duke e mbrojtur nga vdekja.
Cila është familja juaj?
Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Me bashkëshorten u njoha në një shkollë fshati. Sigurisht refuzimet e saj më shtynë ta kërkoja edhe më shumë aq sa e ktheva synim në vetvete fitimin e saj. Punonim bashkë në një shkollë e ndenjëm disa vite në fshat. Aty lindëm dhe një fëmijë që quhet Keler e që tani studion jashtë. Emrin ia vura sepse dëshiroja vajzë dhe ky emër më goditi se ishte i vjetër ilir. Kur shkova në maternitet pasi udhëtova disa orë gjatë natës dhe më thanë që isha bërë me djalë thjesht i hoqa germën A të fundit që përcaktonte gjininë. Disa kohë më vonë u bëra sërish me djalë por që fatkeqësisht vdiq ditët e para të jetës. Më vonë më pas në vitin 1995 u bëra me vajzë, emrin e së cilës ja vunë shoqet e shokët e klasës së djalit dhe ajo quhet Sara. Tani fëmijët janë rritur. Sara studion te "Harry Fultz" ndërsa djali mbaroi kolegjin turk shumë mirë. Ka mbaruar universitetin e Nebraskës në SHBA për matematikë dhe ekonomi ndërsa tani do të bëjë masterin me një bursë të plotë të fituar nga vetë ai. Gruaja si gjithmonë mbetet dhe nëna dhe bashkëshortja dhe shoqja më e afërt për mua. Ndjehem krenar për familjen time.
(intervista eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›