E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjini: Flasim në shtator

Kosova është në krizë të përgjithshme dhe të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta ndryshuar këtë gjendje. AAK nuk i ik përgjegjësisë së saj, qoftë edhe kur bëhet fjalë për mundësinë e një koalicioni me PDK’në. Për këtë çështje flasim në shtator, kur të lirohet Ramush Haradinaj. Gjithnjë nëse pranohet që problemi i veriut të zgjidhet sipas planit të Aleancës. Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar të AAK’së, flet për Express.

Express: Ka disa ditë që është duke u përmendur një koalicion mes PDK’së dhe AAK’së. Sa është i mundshëm një koalicion i tillë?

A. Gjini: Të gjitha analizat që po bëhen, të gjitha spekulimet, në aspektin pozitiv po i quaj spekulime jo në pezhorativ, të gjitha zgjidhjet që njerëzit provojnë me i gjet tregojnë se në Kosovë pak kush është i kënaqur me situatën. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me veriun, nuk ka të bëjë me Brukselin, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër - ka të bëjë me situatën të cilën Kosova gjendet sot. Dhe, definitivisht po del se askush nuk është i kënaqur. Çka mund të ndodhë në të ardhmen nuk guxoj me spekulu. Dikush po mendon se Aleanca duhet të hyjë në koalicion, dikush po mendon se ndoshta edhe do të hyjë, dikush po mendon se duhet të ketë zgjedhje, mirëpo askush nuk është i qetë.

Express: Çka po mendon AAK?

A. Gjini: AAK e ka një ide të vetën të kamotshme. Kemi qenë pothuajse të ngujuar për shkak se Kryetari i partisë për një kohë të gjatë, tani prapë po duhet të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare. Shpresojmë se shpejt do të përmbyllet ky proces. Ne mendojmë se rruga më e mirë për të dalë nga kjo situatë është që të përfundohet Kodi Zgjedhor shpejt, që Kosova të përgatitet për zgjedhje të reja dhe që të ketë zgjedhje që nuk do t’i kontestojë askush. Kjo do të ishte për Aleancën rruga më e mirë. Por, një gjë që e kemi thënë në vazhdimësi: ne kurrë nuk i kemi ikur përgjegjësisë nëse kemi pa se mund ta nxjerrim vendin nga kriza.

Express: Çka do të thotë kjo?

A. Gjini: Kjo nuk do të thotë se Aleanca po bëhet gati për të hyrë në pushtet, por kjo do të thotë se në asnjë variant Aleanca nuk i ik prej përgjegjësisë eventuale në asnjë rast. Prapë kjo nuk do të thotë se prej Aleancës në këtë moment po kërkohet kjo përgjegjësi, edhe nuk e kemi fjalën për një individ apo për një grup politik, mirëpo po mendojmë se duhet të provojmë që Kosova të dalë prej krizës në mënyrën më të mirë të mundshme.

Express: A del prej krizës Kosova me një koalicion PDK-AAK?

A. Gjini: Nuk mund ta them se a del Kosova prej krizës me një koalicion PDK-AAK. Kosova, ma merr mendja mua, del prej krizës nëse në krye të Qeverisë, në krye të Ekzekutivit do të vjen z. Haradinaj. Ne mendojmë se i vetmi njeri, i cili mund ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, i cili mund të thërret në lojalitet në shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të Kosovës, që t’i kthehen punës, që t’i kthehen seriozitetit, që t’i kthehen sundimit të ligjit, është z. Haradinaj.

Express: Pra, në koalicion me PDK’në dhe me Kryeministër z. Haradinaj?

A. Gjini: Prapë këto janë variante, të cilat njerëzit i përmendin dhe flasin për to në mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Po e them edhe një herë që zgjidhja më e mirë për ne është që të shkojmë në zgjedhje të pastra. Pas atyre zgjedhjeve ne jemi të bindur se do të dalim shumë mirë, ndoshta edhe fitues të zgjedhjeve. Në atë rast do t’i marrin përgjegjësitë për vendin. Kjo është fundi i fundit ideja jonë se si të dilet prej kësaj situate. Të gjitha idetë tjera i kuptojmë si mënyrë e të menduarit të njerëzve, të cilët mendojnë se kështu nuk mund të vazhdohet më.

Express: Por, në shtator po përmendet se AAK do të hyjë në koalicion për shkak të mungesës së numrave të kësaj qeverie, për shkak kërkesës së ndërkombëtarëve për dialog për veriun... A do ta shohim AAK në vjeshtë në Qeveri?

A. Gjini: Një gjë duhet të jetë e qartë këtu: kurdo që AAK të jetë në pushtet, zgjidhja e problemit të veriut do të jetë ashtu si ne e mendojmë. Ne nuk do të hyjmë në kurrfarë varianti për me zgjidh problemin e veriut siç ka menduar dikush pa ne. Të gjitha spekulimet duhet të bien në ujë që tani. Aleanca e ka idenë e vet për zgjidhjen e problemit të veriut. Ne e dimë që është një problem, por e dimë që është i zgjidhshëm nëse do të ketë vullnet, dedikim dhe punë të madhe nga ana e Qeverisë së Kosovës. Nuk do të hyjmë në asnjë variant, në asnjë koalicion për të zbatuar zgjidhjet që të tjerët i kanë dizajnuar pa Aleancën.

Express: Ta qartësojmë: A do të bëheni pjesë e Qeverisë në shtator apo jo, siç edhe duket se po kërkohet nga ju?

A. Gjini: Cilado hyrje në Qeveri e Aleancës nënkupton, qoftë me zgjedhje, qoftë në variante tjera, zbatim të planeve të Aleancës dhe hyrja nënkupton marrëveshje për shumë çështje, jo vetëm për ndarje të ministrive, jo vetëm për Kryeministër, mirëpo nënkupton marrëveshje edhe për çështje të tjera.

Express: A mundemi me e pa AAK’në edhe me PDK’në në Qeveri?

A. Gjini: Shihni, nëse do të jetë e mundshme që ato plane, të cilat ne mendojmë se janë të zbatueshme, mund t’ju them me përgjegjëse se Aleanca nuk do t’i ikë asnjëherë përgjegjësisë për ta nxjerrë vendin nga një situatë e keqe. Por, në ketë fazë nuk po mendojmë se një gjë e tillë është e mundshme. Në këtë fazë nuk po mendojmë se me këtë rast do të mund të zgjidhej diçka, edhe një herë po them, se për shkak të problemit që ka me legjitimitet, edhe për shkak se mund të ndodhë që të zbatojmë plane të cilat i ka dizajnuar dikush tjetër e jo ne.

Express: Po shihet se është një zbutje e qëndrimit të AAK’së. Një kohë udhëheqësit e AAK’së kanë thënë se kurrë s’do të ketë koalicion me PDK’në dhe Hashim Thaçin? Pse po ndodh kjo zbutje?

A. Gjini: Edhe sot e kësaj dite Aleanca mendon se PDK e prirë nga z. Thaçi i ka shkaktuar vendit dëme të jashtëzakonisht të mëdha, disa nga dëmet janë shumë vështirë të riparueshme. Është rrënuar administrata publike. Është rrënuar sistemi i arsimit. Shëndetësia është në të njëjtën situatë. Reputacioni ndërkombëtar i Kosovës është në të njëjtën situatë. Korrupsioni që ka qenë ekzistent në Kosovë para pesë viteve, sot e ka mbërthye sistemin në Kosovë. Sot Kosova është absolutisht një vend, në të cilin nuk mund të kryesh asnjë punë pa pasur elemente korruptive. Është shndërruar në një sistem të korruptuar total.

Express: Por, pse AAK ka ndryshuar qëndrimin e saj karshi PDK’së?

A. Gjini: Aleanca është duke menduar shumë seriozisht se si të dilet nga kjo situatë. Ne nuk mund të jemi indiferentë. Kemi shpresuar se do të jemi në këtë Qeveri para vitit 2010, kur z. Haradinaj ka qenë këtu. Mos harroni se na është shkëputur një rritje tepër e madhe në gjysmë. Ky ka qenë momenti kur Aleanca ka qenë dashtë të tërhiqet për shkak se nëse në vitin 2009 kemi shkuar prej dhjetë për qind në afër njëzetë për qind dhe kemi pasur një fuqi jashtëzakonisht të madhe, dhe një rritje të madhe, një premtim tepër konkret se çka do të bëjmë, në atë moment na është ndërpre hovi. Kjo ka bërë që AAK në njëfarë formë të fillojë të tërhiqet, ta pretë që të kryhet procesi i z. Haradinaj. Asnjë vendim nuk e kemi marrë pa kthimin e z. Haradinaj. Në cilindo variant, ne kemi menduar se nuk guxojmë të bëhemi pjesë e qeverisjes së keqe, që të bëhemi pjesë e kësaj çka po ndodh. Jo vetëm për hir tonin, jo vetëm pse ne ndoshta nuk dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj pune. Por, kemi menduar se nëse do të kishte forca politike serioze, të cilat do t’i shërbenin këtij modeli qeverisës. Kosova do të hynte në një rrugë jashtëzakonisht të zorshme për një kohë shumë më të gjatë. Kjo është ajo çka ka menduar AAK. Edhe tani Aleanca mendon se si të dilet prej kësaj situate.

Express: Pra, sipas jush, zgjidhja është te zgjedhjet?

A. Gjini: Te zgjedhjet e pastra. Jo vetëm zgjedhje, por zgjedhje të pastra, zgjedhje të ndershme, zgjedhje që nuk do t’i kontestojë askush.

Express: Sa janë të gatshme të shkojnë partitë në zgjedhje, përfshirë edhe AAK’në?

A. Gjini: Mendoj se Aleanca është jashtëzakonisht e gatshme. Edhe pse nuk kemi qenë pjesë e marrëveshjes, të cilën e kanë bërë z. Thaçi, z. Mustafa dhe z. Pacolli, ne prapë kemi marrë pjesë në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimin e Kushtetutës. Kemi bërë një punë jashtëzakonisht me sinqeritet.

Express: Por, ky proces është bllokuar...

A. Gjini: Ky proces është bllokuar, por ne do të kërkojmë shumë shpejt që të zhbllokohet. Do të kërkojmë që Kosova ta dizajnojë një kod zgjedhor, i cili do të jetë shumë i thjeshtë, shumë i lehtë si për të votuar, ashtu edhe për numëruar në mënyrë që në ditën e zgjedhjeve në darkë t`i kemi rezultatet e zgjedhjeve. Vetëm kjo është zgjidhja. Kosova nuk ka nevojë për komplikim më, Kosova ka hyrë në krizë për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve dhe ne duhet të garantojmë që këto zgjedhje të mos vidhen më.

Express: Nënkryetari i Parë i AAK’së propozoi një marrëveshje të re për të tejkaluar këto probleme. Është qëndrimi i tij apo i AAK’së?

A. Gjini: Është një ide e z. Shala, ide e cila duhet të respektohet. E çkado që ndodh në Kosovë, e mira e s’ mirës është që të ketë marrëveshje. Mirëpo, marrëveshje që respektohet e jo marrëveshje parciale. Forcat kryesore politike në Kosovë, nëse është e mundshme, të gjitha duhet ta kenë një marrëveshje se si të dilet prej kësaj situate. Kjo situatë nuk i konvenon askujt. Mendoj se nuk ka luks asnjë parti që të sillet skajshëm refuzuese ndaj këtij procesi. Nuk guxon me pas refuzim për shkak se refuzimi sjell refuzim edhe nga palët tjera dhe nëse fillojmë të refuzohemi në mes veti, mendoj se Kosova ka me e pagu një çmim edhe më të madh.

Express: Idenë e Blerim Shalës e ironizoi Rexhep Selimi i Vetëvendosjes. Ai tha se së pari Aleanca duhet të koordinohet nga brenda e pastaj Shala të dalë me propozime...

A. Gjini: Mendoj se gjithkush duhet me i pa subjektet e vete. Analistët politikë kanë të drejtë me fol, por dikush që është në një subjekt tjetër politik duhet ta shohë vetën. Dhe kish me qenë mirë me e pa vetën fillimisht. Aleanca është jashtëzakonisht mirë e koordinuar. Bile, bile edhe në momentet më të vështira që ka pasur, ka qenë dëshmitar populli i Kosovës, se përkundër vështirësive, përkundër problemeve që ka pasur për shkak të mungesës së liderit, prapëseprapë ka arrit me e ruajt substancën, ka arrit me qeveris në gjashtë komuna, ka arritur me e rrit numrin e deputetëve prej zgjedhjeve të vitit 2008 dhe kjo është Aleanca.

Express: Si e shihni zgjidhjen e problemit të Presidentes, e cila ka mandat kushtetuese deri më 2016?

A. Gjini: Shihni, në momentin kur është zgjedhur Presidentja, në Kosovë shumica dërrmuese e njerëzve, të cilët e kanë kuptuar procesin, kanë thënë se nuk mund të ketë zgjidhje të presidentit me mandat të shkartuar për shkak se mandati është pesëvjeçar. Dhe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është obligues, e kemi ditur se kështu do të jetë. Por, janë dy aspekte në këtë temë: aspekti i parë është legaliteti ose kushtetutshmëria e këtij vendimi dhe në bazë të Kushtetutës, Presidentja ka të drejtë me pas mandat pesëvjeçar dhe e ka atë mandat. Ndërsa aspekti tjetër është moraliteti i veprimeve politike. E kam thënë njëherë dhe po e përsëris, mbajtja e fjalës publike në demokraci është po aq e rëndësishme sa edhe vetë provizionet kushtetuese dhe ligjore. Nuk mund të zhvillohet demokracia kur nuk mbahet fjala publike për shkak se nëse nuk vlen fjala publike, nëse nuk vlen marrëveshja, atëherë Kushtetuta jonë duhet t`i ketë nja një milion faqe, me e parapa edhe kur dikush e thotë diçka e nuk e mban fjalën.

Express: Sipas jush, partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje dhe Presidenten me e sjell para aktit të kryer?

A. Gjini: Gjithsesi se duhet të ketë marrëveshje. Nuk ndodh asgjë pa marrëveshje. Edhe njerëzit po flasin në pezhorativ për marrëveshjen dhe po thonë se nuk janë mbi Kushtetutën. Nuk janë mbi Kushtetutën marrëveshjet, por nuk mund të implementohet Kushtetuta pa pasur marrëveshje politike. Ose duhet të kalojmë në një sistem ku një parti i fiton të gjitha dhe i bën veç çka të dojë. Ne nuk e kemi atë sistem zgjedhor dhe mendoj se është mirë se nuk e kemi. Po e përsëris, Presidentja nuk është problem, problemet janë tjera dhe nëse politika e Kosovës vjen deri te një formulë për dalje nga situata, Presidentja nuk do të jetë problem.

Express: Si e shihni vazhdimin e reformës zgjedhore dhe kushtetuese?

A. Gjini: Mendoj se është imperativ, mendoj se është jashtëzakonisht e pandershme me e blloku procesin e ndryshimit dhe Kodit zgjedhor. Është e pandershme në raport me qytetarët e Kosovës, të cilët presin një sistem të drejt zgjedhor, është e pandershme kundër të ardhmes dhe kundër demokracisë në Kosovë. Nuk mund të sillemi kështu, nuk mund të sillen partitë politike kështu. I bëj thirrje PDK’së me e shiku edhe një herë rreth e rreth vetës dhe me e pa ku gjendet Kosova. Është dëm më i madh për gjeneratat që do të vijnë. Mos harroni se këto probleme rriten si orteku ose vazhdojnë të sillen si inercion dhe mund të ndodh që ne të vuajmë pasoja edhe pas tridhjetë vitesh për shkak të vendimeve që i marrim sot. Kjo duhet të jetë rruga të cilën duhet ta ndjek secila parti në Kosovë, të mos bëjë diçka pasojat e të cilës mund të ndihen edhe tridhjetë vite. Mendoj se Kosova është në një moment kyç dhe duhet të merren disa vendime të zorshme shumë. Janë për të gjitha partitë politike, por në këtë rast barra i bien PDK për shkak se i ka numrat me partnerët e koalicionit me e blloku procesin. Nëse e bllokon procesin mund t`ju garantoj me jetë se pasojat do t`i vuajë edhe vet më shumë se partitë tjera.

Express: A duhet të marrë edhe AAK vendime të rënda?

A. Gjini: AAK kurrë nuk ka hezituar të merr vendime të rënda, cilado që kanë qenë ato. Në këtë rast AAK nuk është ajo e cila jo vetëm që po e bllokon procesin, por nuk është ajo që në këtë moment ka edhe mundësi me e blloku. E thash edhe një herë nuk kemi marrë pjesë në marrëveshjen politike mes të tri forcave tjera, por prapëseprapë jemi kyç me krejt çka kemi pasur në proces që të kemi një kod zgjedhor dhe një Kushtetutë sa më të mirë që të jetë e mundshme. AAK i ka marrë përgjegjësitë e veta edhe pse në opozitë.

Express: Tash, a është vendim i rëndë i AAK’së të hyjë në Qeveri?

A. Gjini: Mendoj se e gjithë Kosova do të jetë në moment të marrjes së vendimeve të rënda për shkak se situata në Kosovë është tepër e rëndë. Ju thash një herë dhe po e përsëris është jashtëzakonisht e rëndë situata në Kosovë, është jashtëzakonisht e rëndë jeta e qytetarit të Kosovës, është jashtëzakonisht e rëndë rruga për me e kthye edhe një herë në binar vendin. Do të thotë nevojitet shumë punë, shumë mundë, do të nevojitet shumë energji, shumë kreativitet. Mendoj se kjo Qeveri aktuale nuk i ka, nuk po hyjë në detaje të tjera. Po them se AAK e pret përfundimin e gjykimit të z. Haradinaj. Presim dhe jemi të bindur që në shator të kthehet mirë, i pafajshëm. Pas atij momenti do të provojmë edhe të japim ide. Tani për tani nuk e kemi në plan të japim ide se çka duhet të ndodh.

Express: Të thjeshtësojmë, ju asnjëherë nuk e mohuat se do të hyni në Qeveri në një koalicion me PDK’në?

A. Gjini: Por, asnjëherë as nuk e pohova.

Express: Megjithatë, as nuk e mohuat?

A. Gjini: As nuk e pohova.

Express: Që nënkupton?

A. Gjini: Që nënkupton që nuk e kemi në plan as me dhanë ide as me dhanë përgjigje tani.

Express: Pse po pritni?

A. Gjini: Definitivisht Aleanca duhet me prit përfundimin e procesit gjyqësor të z. Haradinaj. Ne duhet me e pritë këtë dhe mendoj se ajo që është arrit deri më tani është me kokludu të gjithë, edhe vetë Qeveria se kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje.

Express: Qysh me e kuptu qëndrimin tuaj votuesi i AAK’së?

A. Gjini: Mendoj se votuesi i AAK’së ka me pas më shumë se një milion herë me e dëgju qëndrimin e Aleancës, kur Aleanca të jetë e plotë.

Express: A është lodhur AAK’ja në opozitë?

A. Gjini: Mendoj se është lodhur qytetari i Kosovës. Janë lodhur deputetët, është lodhur Qeveria, janë lodhur media, është lodhur shëndetësia. Mendoj se Kosova është lodhur e jo AAK’ja. Fundi i fundit nëse mendoj se çka është AAK’ja – AAK’ja janë njerëzit. Njerëzit e AAK’së si individë pse me u lodh. Kanë energji me punu. Jemi në Kuvend dhe po japim.

Express: Sa e ndihmon Kosovën një koalicion PDK-AAK?

A. Gjini: Po kthehem prapë aty - e keni zor me ma nxjerr këtë - Kosovës i ndihmon Kryeministri i AAK’së.

Express: Në koalicion me cilëndo qoftë parti?

A. Gjini: Mendoj se do të ishte mirë që ne ta zgjedhim partnerin e koalicionit. E prapë nuk do t`iu tregoj se çka mendon Aleanca. Do të ketë shumë raste, shumë shpejt, jeni të durueshëm se shumë shpejt Aleanca do të tregoj krejt çka donë. Arsyeja pse s`po tregoj nuk është konspiracion është për shkak se Aleanca është në këtë pozitë që është – Aleanca e ka barrë jashtëzakonisht të rëndë procesin ndaj z. Haradinaj dhe po shihet shumë qartë se edhe Kosova e ka barrë.

Express: Kur pret AAK të ketë zgjedhje në Kosovë?

A. Gjini: Ne mendojmë se ideale kish me qenë që zgjedhjet të mbahen në pranverën e vonë të vitit të ardhshëm. Do të kemi kohë të mjaftueshme, do të kemi diku shtatë ose tetë muaj prej vjeshtës të përanditemi, ta ndryshojmë Kodin zgjedhor, t`i bëjmë të gjitha përgatitjet si Kosovë dhe si parti politike dhe të garantohemi se në maj të vitit ë ardhshëm zgjedhjet të jenë pastra, të drejta dhe të prodhojnë një legjislativ, i cili është i pakontestueshëm. Të prodhoj deputetë që nuk e kanë mandatin e diskutueshëm dhe ai Kuvend të prodhojë një Qeveri që e nxjerr vendin nga kriza.

Express: Sa është i mundshëm një koalicion me LDK’në, qoftë parazgjedhor, qoftë pas zgjedhjeve?

A. Gjini: Definitivisht që mbetet opsion. Definitivisht që ka qenë një ide e kamotshme e AAK’së. Më herët është refuzuar nga LDK, po flas për pak vite më përpara. AAK do të kërkojë partnerë të koalicionit, të cilët nuk do të kërkojnë një Marrëveshje vetëm për ndarje të ministrive. Do ta kërkojë një partnerë të koalicionit, i cili do të pajtohet se cilët do të jenë hapat e Kosovës shumë të shpejt, afatshkurtër dhe afatmesëm për me e nxjerr vendin nga kriza.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›