Ban Ki Moon në Kosovë, pa ceremoni shtetërore

Garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë të Kosovës nuk do të angazhohet të martën, kur në Aeroportin e Prishtinës do të zbresë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Shefi i organizatës që ka administruar Kosovën për tetë vjet pas luftës, sipas agjendës që e ka parë gazeta, nuk do të pritet me ceremoni shtetërore. Sipas agjendës, sekretari Ban Ki Moon do të arrijë në Aeroportin e Prishtinën, rreth mesditës, shkruan “Koha Ditore”.
Në aeroport do të ketë edhe konferencën e vetme për media në Kosovë. Pas një takimi me përfaqësuesit e UNMIK-ut, misionit të organizatës së tij në Kosovë, Ban Ki Moon do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe me kryeministrin Hashim Thaçi, për t`u nisur më pas drejt jugut, për të vizituar Pejën e Prizrenin.