E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjini premton fakte për takimet sekrete Prishtinë-Beograd

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini tha për Radio Kosovën se partia e tij i ka të gjitha faktet për këto takime.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini as sot nuk ishte i gatshëm të jap detaje, për siç thotë ai, takimet sekrete që Prishtina dhe Beogradi zyrtar po mbajnë mes vete dhe larg syve të opinionit të gjerë.

Megjithatë, Gjini i është kundërpërgjigjur deklaratës së djeshme të kryeministrit Thaçi, se pohimet e zyrtarëve të AAK-së janë qesharake. Gjini ka thënë se në vend që të bëjë kualifikime, kryeministri duhet të tregojë se pse zyrtarët e lartë të Qeverisë së tij udhëtojnë në takime sekrete në vende të ndryshme.

Nënkryetari i AAK-së, Gjini, gjithashtu ka thënë se mënyra e përgjigjes së kryeministrit nuk është e drejtë, ndërsa ka premtuar se shumë shpejtë do të dal me fakte.

Duke mos dhënë detaje rreth kësaj çështjeje, Gjini u ka rekomanduar gazetarëve kosovarë që të angazhohen më shumë dhe ta zbulojnë, sipas tij, këtë të vërtetë. Gjini edhe në konferencën e djeshme për media, bisedimet sekrete i ka quajtur të rrezikshme pasi që, së paku, agjenda duhet të jetë transparente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›