E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjet filmike, asnjë i identifikuar

11/08/2010 Ekzekutimi i Franc Konomit, akuza verifikon kasetat e sekuestruara nga një bankë dhe lokal

Kasetat tregojnë vetëm njerëz që vrapojnë, por jo personat që qëlluan mbi 42-vjeçarin

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka verifikuar pak ditë më parë kasetat filmike të sekuestruara nga një bankë dhe lokal që ndodhen afër vendit të ekzekutimit të 42-vjeçarit Franci Konomi. Nga pamjet filmike nuk është qartësuar asnjë nga autorët që kanë qëlluar me pistoletë Konomin, në të ndodhen vetëm disa persona, të cilët, sipas burimeve, janë identifikuar si kalimtarë të rastit. Burimet tregojnë se kamerat e jashtme të një banke dhe lokali shumë afër me vendin e krimit kanë fiksuar vetëm disa qytetarë që kanë kaluar duke vrapuar, veprim ky që sipas burimeve është kryer fill pas dëgjimit të të shtënave të pistoletës. “Nga kamerat shpresonim se mund të gjenim gjurmë të autorëve, por aktualisht nga verifikimi i tyre nuk është konstatuar asnjë mjet dhe person i dyshimtë që mund të ketë marrë pjesë në ngjarjen e 8 korrikut, ku mbeti i vrarë Franci Konomi”, - thanë burimet pranë organit të akuzës kryeqytetase.

Një tjetër variant ku hetuesit shpresonin për gjetjen e provave ishte edhe ai i verifikimit të tabulateve telefonike, por që sipas tyre gjithçka është e paqartë, pasi në to nuk është vënë re asnjë numër që ka kërcënuar Konomin ditën e ekzekutimit apo dhe periudhat e tjera. Duke mos pasur asnjë provë dhe asnjë person të dyshuar përgjatë një muaji, prokuroria ka vendosur që çështjen t’ia referojë policisë së Tiranës, e cila duhet të kryejë dhjetëra verifikime operative për të zbardhur atentatin mafioz ndaj 42-vjeçarit Franc Konomi, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin “Pojani”. Nga të thanat e para operative të mbërritura në polici, mësohet se dy shtetas kosovarë mund të jenë ekzekutorët e 42-vjeçarit. Këto dyshime kanë bërë që grupi i hetimit të verifikojë praktikën që ka ndjekur viktima për blerjen e makinës “Mercedes-Benz”. Sipas hetimeve aktuale, viktima Franci Konomi në vitin 2009 e kishte blerë automjetin e tij në Kosovë, por shifra financiare nuk bëhet publike nga hetuesit. Burimet tregojnë se mjeti luksoz është mbajtur për disa kohë me targat e Kosovës dhe pak kohë më parë Konomi ia kishte zëvendësuar ato me të Tiranës. Ndërkohë në disa informacione të tjera operative tregohet se i riu nga Tirana është qëlluar nga dy vrasës me pagesë dhe se atentati i tij ka qenë tepër i organizuar, duke mos lënë asnjë gjurmë qoftë në gëzhojat e armës, por edhe gjatë largimit nga vendi i krimit. Kur ka kaluar më shumë se një muaj, ekspertët e prokurorisë dhe policisë së Tiranës duket se janë dorëzuar përballë kësaj ngjarjeje dhe e kanë arkivuar dosjen e Franci Konomit mes dhjetëra çështjeve ende të pazbardhura.

Tek “Avni Rustemi”

Pikërisht afër sheshit të Heroit të Popullit Avni Rustemi ditën e 8 korrikut është qëlluar me 9 plumba njëri prej anëtarëve të ish-grupit të rrugës “Bardhyl” në Tiranë. Franc Konomi ka mbetur i vdekur në vend në sedijen e shoferit, duke u parë nga shumë persona.

Konomi dhe krimi

Nga punonjësit e policisë viktima njihej si kontingjent kriminal, pasi në dy raste ai është hetuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Gazmend Muçës dhe si gjobëvënës ndaj një biznesmeni në Tiranë. Konfliktet me krimin mendohet se kanë ndikuar në eliminim e tij fizik.

Kthimi nga Greqia

Tri ditë para se të qëllohej për vdekje Franc Konomi ishte kthyer nga Greqia, ku ishte te disa miqtë e tij. Siç duket, ai ka qenë nën survejimin e autorëve të krimit, të cilët, pasi kanë gjetur rastin e volitshëm, kanë vendosur të qëllojnë me pistoletë mbi 42-vjeçarin nga Tirana.

5 pista hetimore

Lidhur me këtë ngjarje policia po heton në 5 pista: ajo e hakmarrjes, trafikut të drogës, konkurrencës mes bizneseve, konflikteve të tjera që ka pasur 42-vjeçari si dhe vrasjes me pagesës. Sipas burimeve, pista e parë lidhet më vrasjen e shtetasit Gaz Muça, ku viktima Konomi dyshohet se ka qenë bashkautor i këtij krimi së bashku me Naim Zyberin. Pista e dytë ka lidhje me trafikun e heroinës dhe kokainës në Itali, Gjermani dhe Spanjë, ku 42-vjeçari prej vitesh ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kryente trafikun e drogës në këto tri shtete. Burimet shtojnë se pista e tretë lidhet me konkurrencën mes disa bizneseve, pasi dihet se Franci Konomi kishte disa lokale në Tiranë, që i kishte dhënë me qira. Dyshimi i katër për hetuesit e çështjes lidhet me konfliktet që ka pasur gjatë këtyre viteve viktima Konomi. Për të gjitha këto pista janë mbledhur shumë informacione, po asnjëri nuk ka sjellë zbardhjen e çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›