E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet platforma e opozitës: Në 2012 të ndryshojë KQZ e Kolegji

SHKRUAN: Fejzi Braushi 19-10-2011 11:29

Opozita e bashkuar ka rënë dakord dje mbi parimet mbi të cilat duhet të zhvillohet reforma zgjedhore. Me mungesën e vazhdueshme të kreut të PDS-së, Paskal Milo dhe të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, tryeza zyrtare e koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen” në një takim që ka zgjatur për gati 90 minuta ka diskutuar dhe miratuar një dokument të posaçëm zgjedhor të emërtuar “Platforma mbi linjat kryesore të reformës zgjedhore”. Dokumenti përcakton se reforma zgjedhore duhet të organizohet mbi katër shtylla kryesore. Më konkretisht, shtylla e parë së cilës opozita i kushton rëndësinë kryesore është ajo e përcaktimit të masave të karakterit politik, organizativ e administrativ për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme nëpërmjet balancimit të KQZ-së, Kolegjit Zgjedhor, TVSH-së etj. Pika e dytë përcakton masat e karakterit infrastrukturor, ku opozita kërkon aparatura të zhvilluara për kontrollin e kartave dhe identifikimin e zgjedhësve nëpërmjet shenjave të gishtërinjve. Shtylla e tretë përcakton detyrimin për përmirësime në Kodin Zgjedhor e në ligje të tjera që lidhen me zgjedhjet.

Ndërsa shtylla e katërt thekson nevojën e përmirësimit të sistemit zgjedhor. Për këtë pikë, opozita vlerëson në platformën e saj se nuk është e nevojshme që të ndryshohet Kushtetuta, pasi sistemi proporcional mund të korrektohet edhe në Kod. Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se drejtues të caktuar të forcave opozitare kanë dhënë vlerësime të tyre, duke propozuar edhe shtesa në platformë. Kështu, Spartak Ngjela ka theksuar se Kodi nuk ka garanci juridike, ndërsa ka kërkuar që në platformë të evidentohet dhe nevoja për një arbitër të paanshëm. Gjithashtu, Ngjela mësohet se ka kërkuar që KQZ-ja duhet të jetë apartiake, ndërsa ka shtruar nevojën edhe për lista të hapura. Burime pranë këtij takimi kanë informuar gjithashtu se është kërkuar që opozita të kërkojë dhe votimin për emigrantët. Më poshtë, platforma e plotë e miratuar nga tryeza.

Platforma mbi linjat kryesore të reformës zgjedhore

Partitë pjesëtare të "Aleancës për të Ardhmen" vlerësojnë e kërkojnë që reforma zgjedhore të jetë e suksesshme, duhet të shtrihet në katër plane kryesore:

1.Masa të karakterit politik, organizativ e administrativ për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Garantimi i zgjedhjeve të standardeve kërkon zhvillimin e tyre në kushtet e barazisë së plotë, politike e organizative, për pasojë kërkon mbi të gjitha eliminimin e çdo vullneti politik për të manipuluar e deformuar zgjedhjet, evitimin e ndikimit në zgjedhje të çdo përpjekjeje a tendence për njëanshmëri, paritet e akses të plotë të palëve në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, çka do të thotë se institucionet dhe organet e organizimit, përgatitjes e të administrimit të zgjedhjeve, apo që kanë rol të drejtpërdrejt në ecurinë e zgjedhjeve si KQZ, KZ, KKRT, TVSH, duhet të formatohen në mënyrë të tillë që të mos lejojnë vënien e tyre nën kontrollin e asnjë krahu politik e të kenë kompetencë përgatitjen e zgjedhjeve jashtë çdo ndikimi qeveritar.

2. Masa të karakterit infrastrukturor

Një nga mënyrat për të minimizuar dukuritë dhe tendencat negative në zgjedhje, si mosrespektimi i fshehtësisë së votës, votimi i shumëfishtë e familjar, mbushja arbitrare e kutive, dublimet në lista etj, është futja e teknologjisë së përparuar, mos në të gjithë procesin, në fazat kryesore të tij, e domosdoshmërisht për identifikimin e votuesit dhe evidentimin e pjesëmarrësve në votim për çdo qendër votimi.

3. Përmirësime në Kodin Zgjedhor e në ligje të tjera që lidhen me zgjedhjet

Raportet e OSBE/ODIHR-it dhe vetë përvoja jonë kanë nxjerrë në pah nevojën e një sërë përmirësimesh nëpërmjet amendimeve në Kodin Zgjedhor e në kuadrin ligjor, me synim, reflektimin e rekomandimeve të këtyre raporteve apo hedhjen e bazës ligjore për realizimin e tyre.

4. Përmirësim i sistemit zgjedhor

Sistemi zgjedhor ka qenë gjithmonë objekt debati para çdo sezoni zgjedhor. Madje sistemi është ndryshuar a deformuar edhe pas vitit ’98, ndonëse tashmë sistemi është i sanksionuar në Kushtetutë. Ndryshimet që iu bënë sistemit para zgjedhjeve të 2009-ës përbëjnë një ndryshim thelbësor në raport me sistemin e mëparshëm. Nisur nga

fakti se sistemi s'mund të jetë objekt ndryshimesh sa herë ka zgjedhje, se sistemi përsëri është pjesë e kuadrit tonë kushtetues, mund të bëhet një korrektim kombëtar e balancim i zonave zgjedhore), pa ndërhyrë në Kushtetutë.

Gjithë sa më lart, mbështetet mbi rekomandimet e BE-së dhe të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet pasi:

Pika e parë bazohet në 12 rekomandimet e BE-së, nga të cilat dy u takojnë zgjedhjeve: njëri kërkon zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, e tjetri "garantimin e zgjedhjeve sipas standardeve".

Pra këtej del qartë detyrimi që kanë qeveria e politika shqiptare për të garantuar zgjedhje sipas standardeve europiane, duke mbështetur implementimin e rekomandimeve me një sërë masash të tjera politiko-organizative që garantojnë zbatimin e tyre. Raportet flasin qartë për njëanshmërinë politike të TVSH, KQZ, Kolegjit Zgjedhor dhe për ndikimin negativ të tyre në mosrealizimin e

standardeve.

Pika e dytë vjen nga fakti se në epiqendër të shkeljeve e të rekomandimeve të konstatuara nga OSBE/ODIHR-i janë votimi i shumëfishtë nëpërmjet votimit familjar e formave të tjera të paligjshme. Evitimi i tyre është një rekomandim i përsëritur dhe

rezultati është se këto shkelje kanë ardhur në rritje, e jo në reduktim. Ky realitet imponon futjen e teknikës së kontrollit automatik si i vetmi mjet për parandalimin e këtyre praktikave manipulative që shkelin dy nga standardet thelbësore të

Kopenhagenit, si fshehtësia dhe barazia e votës.

Pika e tretë është qartazi e mbështetur mbi rekomandimet ndërkombëtare dhe synon drejtpërdrejt reflektimin e tyre në legjislacion nëpërmjet një pakete amendamentesh.

Pika e katërt. Rishikimi i sistemit apo përmirësimi i tij nuk ka pse të jetë pjesë e rekomandimeve, pasi natyra a lloji i sistemit nuk ka lidhje me arritjen a respektimin e standardeve të kërkuara.

OSBE rekomandon rishikim të sistemit vetëm kur ai është i deformuar apo i sajuar, siç ka qenë rasti i deformimit të sistemit të mëparshëm me të ashtuquajturat ‘taktika të Dushkut’ apo të kandidatëve të pavarur. Për ndryshe, përmirësimi i sistemit me qëllim përshtatjen më të mirë të tij në kushtet e Shqipërisë, është e drejtë ekskluzive e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Partitë anëtare të "Aleancës për të Ardhmen" angazhohen që të konsultohen në vijimësi për realizimin e kësaj platforme si një e tërë, si dhe për të gjitha çështjet konkrete që janë të lidhura me reformën zgjedhore para se ato të paraqiten në instancat përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›