E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Kriteret e PD-së për anëtarët e Gjykatës së Lartë, nuk i përmbush as Berisha”



Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, i ka cilësuar provokim të hapur kriteret që maxhoranca i ka dërguar një ditë më parë kreut të shtetit për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Gjinushit këto kritere nuk i plotëson në radhë të parë vetë kryeministri Berisha. “Gjykoj se ky nuk është thjesht një provokacion ndaj presidentit dhe një paragjykim ndaj përzgjedhjeve të tij, por është dhe një provokacion ndaj Sali Berishës, pasi edhe ai nuk i plotëson këto kritere për të qenë kryeministër i Shqipërisë. Pasi po të shikosh të kaluarën dhe inkriminimin atëherë Berisha del shumë zbuluar. Kjo është një tendencë e Partisë Demokratike për t’i kujtuar herë pas herë kryetarit të vet, se nuk është i përshtatshëm për sistemin demokratik dhe për të drejtuar vetë Partinë Demokratike”, - është shprehur Gjinushi. Ai më tej tha se kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë të mirëpërcaktuara në ligj ku pika më e rëndësishme mbetet mos përfshirja e tyre në politikë. “Mënyra e konsultimit është mëse e mjaftueshme për të arritur në kandidatura sa më të përshtatshme, që është profesionalizimi sa më i lartë dhe paanshmëri në gjykimet e tyre politike”, - është shprehur Gjinushi.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›