E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: Kriteret e gjyqtarëve i jep Kushtetuta dhe ligji



Në përgjigje të kërkesës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ka reaguar dje dhe Grupi Parlamentar i PDK-së. Në deklaratën e tij Ndue Shpani u shpreh se nuk është detyra e asnjërës prej partive politike për të nxjerrë kritere të tjera përveç atyre të përcaktuara në Kushtetutë, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Bazuar në kriteret kushtetuese dhe ligjore PDK-ja vlerëson se nuk është detyra dhe as e drejta e partive politike të vendosin kritere të tjera ekstra kushtetuese dhe ekstra ligjore, të cilat mund të cenojnë integritetin e procesit kushtetues, kompetencat e presidentit dhe vetë pavarësinë e sistemit gjyqësor”, - është shprehur Shpani. Sipas tij, në nenin 136 të Kushtetutës përcaktohet kriteri që anëtarët të kenë arsim të lartë juridik. Gjithashtu, Kushtetuta, në nenin 143 përcakton edhe kriterin se “qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private”. Po kështu Shpani ka cituar dhe ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, ku në nenin 3, përcaktohen edhe kushtet për t’u emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Sipas këtij neni “gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet”.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›