E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Kriza në Shqipëri mban emrin Berisha”



Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, gjatë Konferencës XI të kësaj partie për degën e Beratit, nuk i ka kursyer akuzat ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij. Gjinushi e ka akuzuar Berishën si një njeri të inkriminuar, i cili është i gatshëm t’i hapi luftë Drejtësisë dhe çdo institucioni për të mbrojtur korrupsionin galopant të tij. “Berisha nuk shkon dot me asnjë lloj presidenti, me asnjë lloj kryetari të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me asnjë prokuror të Përgjithshëm, sepse e vetmja gjë që kërkon Berisha është të mbrojë korrupsionin e tij”, - tha kreu i PSD-së. Gjinushi e ka akuzuar Berishën si përgjegjësin kryesor të krizës së gjithanshme që po kalon vendi ynë, e cila, sipas tij, nuk është pasojë e krizës botërore, por është një krizë që mban emrin e Berishës dhe qeverisë së tij. “Është një krizë që ka filluar në vitin 2005 me rikthimin e Sali Berishës në pushtet dhe me ministrat e tij të inkriminuar, që nga ish-ministri i Transporteve e deri tek ish-ministri i Kulturës. Qeveria e Sali Berishës është një qeveri e dështuar në këta katër vjet. Ajo ka dhënë imazhin më të keq qeverisës sepse rikthimi i Berishës tregoi qartë se ai është po i njëjti i ‘92-‘97-s, që e ka futur vendin në të njëjtat kriza, në të njëjtat lloj konfliktesh kushtetuese dhe institucionale. Berisha është pjesë e pandarë e korrupsionit të krijuar prej tij në vendin tonë me shkaktimin e Gërdecit dhe nëpërmjet aferave korruptive me
Fazlliçin dhe familjen e tij, duke firmosur të gjitha tenderat dhe projektet që harton dhëndri i tij për të zaptuar tokat në bregdet e më gjerë”, - ka thënë Gjinushi. Ai sulmoi gjithashtu edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe kreun e saj Ilir Meta. Sipas Gjinushit: “Meta ndjek taktikën e përçarjës së të majtës, në
mënyrë që të mos fitojë asnjë krah dhe ata të jenë përcaktues të posteve kryeministrore apo të çdo lloj pazari majtas e djathtas, pasi Meta bashkëpunon me të djathtën sa herë që ia nevojisin interesat e tij”.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›