E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha, komunisti i fundit në pushtet, është koha të largohet”

Kreu i PS-së: “Kryeministri nuk duhet t’i mohojë asnjë shqiptari të drejtën për të votuar”. Rama: “Berisha dhe koalicioni i Gërdecit janë kërcënimi kryesor i zgjedhjeve të lira të 28 qershorit”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas fjalimit që mbajti kryeministri Berisha në përkujtimin e 22 marsit të vitit 1992, datë në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Rama tha se me këtë fjalim, Berisha, udhëheqësi i koalicionit të Gërdecit, vazhdoi t’i fryjë zjarrit të urrejtjes dhe ndasive midis shqiptarëve, për hir të interesave dhe llogarive të pushtetit të tij personal. Kreu i PS-së tha se më 22 mars 1992 shqiptarët shprehën vullnetin e tyre për t’u ndarë nga e kaluara komuniste, por kryeministri Sali Berisha ka mbetur ish-komunisti i fundit në pushtet në të gjithë Europën. Rama i dha një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Berisha. Ai kërkoi nga Berisha që të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos u mohonte shqiptarëve të drejtën për të votuar. Kreu i PS-së tha se për Berishën ka ardhur koha të largohet me nder dhe me dinjitet në zgjedhjet e 28 qershorit. “Zoti kryeministër! Mos u hiq shqiptarëve që nuk janë me ty të drejtën për të votuar. Mos e fut Shqipërinë në një tjetër rrugë pa krye për të shmangur përfundimin e pashmangshëm të rrugës tënde më 28 qershor. Mos u mundo të ndalosh kohën që ka ardhur, me mjete të kohës që ka ikur. Është koha të bësh atë që kurrë nuk e bëre dot qysh pas 22 marsit 1992: të humbasësh me nder dhe të largohesh me dinjitet”, - tha Rama.

Zgjedhjet

Rama tha se më 22 mars 1992, shqiptarët e votuan Sali Berishën për ta çuar Shqipërinë në Europë, por me fjalimin e tij udhëheqësi i koalicionit të Gërdecit u kujtoi të gjithëve se në mandatin e tij të parë ai i çoi shqiptarët nën gërmadhat e piramidave të korrupsionit, ndërsa në mandatin e dytë po i lë ata më shumë të varfër dhe më shumë të papunë se ç’i gjeti në vitin 2005. Kreu i PS-së tha se qysh prej 22 marsit 1992 në Shqipëri nuk janë zhvilluar asnjëherë zgjedhje të denja për një vend europian. Ai akuzoi kryeministrin Berisha dhe koalicionin e tij se janë kërcënuesit kryesorë të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Por unë jam këtu për të kujtuar sot se qysh prej 22 marsit 1992, shqiptarët e shqiptaret nuk po bëjnë dot zgjedhje të denja për një vend europian. Dhe pas 97 ditësh, një palë zgjedhje të tjera janë seriozisht në rrezik, pikërisht sepse njeriu që 17 vjet të shkuara u zgjodh për të na garantuar këtë, sot e gjithë ditën mbetet kërcënimi kryesor i zgjedhjeve në krye të një koalicioni bashkëfajtorësh, për shumë të këqija e mbi të gjitha për një tragjedi të pashembullt, ku shteti bombardoi, vrau, plagosi e shkatërroi qytetarët e vet”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Kartat e identitetit

Kryesocialisti Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të mos u mohojë të drejtën shqiptarëve për të votuar. Ai kërkoi nga Berisha që të mos përsërisë më 28 qershor eksperiencën e hidhur të 26 majit të vitit 1996. Kreu i PS-së insistoi edhe një herë në idenë e Partisë Socialiste, sipas së cilës e vetmja mënyrë për shpëtimin e zgjedhjeve të 28 qershorit është shpërndarja falas e kartave të identitetit për shtetasit pa pasaportë. “Sot, unë i them Sali Berishës se atë që bëri me të pafajshmit e shkretë të Gërdecit nuk mund ta bëjë me elektoratin shqiptar. Atë që bëri me fishekët e trafikuar jashtë kontratës me partnerin tonë të madh strategjik, nuk mund ta bëjë me kartat e identitetit. Atë që bëri më 26 maj të vitit 1996 me zgjedhjet e me partitë e opozitës, nuk mund ta bëjë në 28 qershorin e ardhshëm. Sot, unë i them Sali Berishës të dëgjojë sa nuk është vonë dhe të veprojë sa jemi ende në kohë për t’i shpëtuar zgjedhjet, duke u dhënë kartat e identitetit falas të gjithë zgjedhësve që nuk kanë pasaportë dhe t’i lërë shakatë banale, duke më ftuar mua të shkoj të marr bashkë me të kartën, për të sensibilizuar njerëzit, sepse në Kodin Zgjedhor e kemi përcaktuar si prioritet pajisjen me kartë të zgjedhësve pa pasaportë”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.

3-vjetori i PS-së në Athinë, Leskaj dhe Dervishi të pranishëm

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, si dhe deputeti Besnik Dervishi, kanë marrë pjesë në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë me rastin e 3-vjetorit të themelimit të Degës së PS-së. Në këtë takim mori pjesë kryetari i degës së PS-së në Athinë Anastas Murati dhe shumë socialistë që ndodhen në Greqi në emigrim. Gjatë kësaj ceremonie, Leskaj është takuar me anëtarë të PS-së në këtë degë dhe me emigrantë, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Ajo ka shprehur bindjen e fitores së Partisë Socialiste dhe koalicionit të saj në zgjedhjet e 28 qershorit. “Më 28 qershor, ne së bashku do të fitojmë, miqtë e mi. Ne do të vijmë në pushtet jo se do të bierë Sali Berisha, sepse ai dhe qeveria e tij kanë rënë në Gërdec, kur krimi shtetëror hodhi në erë një fshat të tërë. Ne do të vijmë në pushtet sepse jemi alternativë dhe këtë po e provojmë çdo ditë. Ne jemi forcë serioze. PS-ja e shqiptarëve të Greqisë nuk është një numër më shumë në partinë tonë, por është një vlerë më shumë. Ne do të jemi bashkë me ju pas 28 qershorit, për t’i ndryshuar jetën Shqipërisë e shqiptarëve, për ta bërë të gjithë bashkë një vend të prosperuar, një vend për të cilin shqiptarët të mos ndiejnë dhimbje e ndrojë, por të jenë krenarë”, tha Leskaj. Gjithashtu Leskaj ka patur edhe një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar të PASOK-ut, z. Repas. Me z. Repas u diskutua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit tashmë të konsoliduar midis PSSH dhe PASOK-ut në Greqi, si dhe krijimi i lehtësirave për emigrantët shqiptarë.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›