E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Nëse nuk ka zgjidhje, bojkot zgjedhjeve lokale në 2011

Pak ditë pas kreut të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, një tjetër aleat i Partisë Socialiste, artikulon idenë e bojkotimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, në një prononcim për mediat, deklaroi dje se "të majtët nuk do të tërhiqen në asnjë rast nga bojkoti, deri kur të hapen kutitë e votimit. Automatikisht pyetja që bëhet është: A ka shqiptar që mendon se zgjedhjet lokale të radhës, nëse nuk ndryshohet asgjë, nëse ka një dështim të bojkotit dhe me këtë qeveri, do jenë të lira e të ndershme? Të tërë do përgjigjen ‘Jo‘. Bëhet njëherë pyetja a do ketë zgjedhje, dhe në qoftë se ato zgjedhje s‘janë të standardeve që sot diskutohen? Atëherë pyetja a do bojkotohen është e tepërt", konstatoi Gjinushi.

Sipas kreut të PSD-së, opozita mund të tërhiqet nga hapja e kutive të votimit vetëm në një rast, nëse krijohet një qeveri me bazë të gjerë, që përgatit standarde europiane për zgjedhjet e parakohshme. "E vetmja marrëveshje që mund të bëhet është pikërisht që s‘hapen kutitë, por kalojmë në zgjidhje politike. Dhe unë apelin e Brukselit kështu e kam kuptuar. Qeveria të gjejë zgjidhje. Kush është zgjidhje? Në qoftë se e pranojnë zgjidhjen politike, atëherë do s‘do, hapja e kutive kalon në plan të dytë, pasi shkohet drejt një kompromisi të madh. Të dyja palët pranojnë bashkëqeverisjen, pranojnë përgjegjësinë e përbashkët, pranojnë kryerjen e reformave dhe e çojnë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme", përfundon kreu i PSD-së.

Në vlerësimin e tij, nëse hapen kutitë e votimit, zgjedhjet e parakohshme nuk mund të evitohen më, sepse qeveria aktuale humbet legjitimitetin. "Hapja e kutive imponon një zgjidhje politike, sepse do bëhet një lexim më i drejtë. Vetë leximi do theksojë qartazi që duhet një qeveri e përbashkët, e balancuar, një qeveri që përfaqëson të gjitha votat e dhëna dhe për të garantuar zgjedhjet e radhës të lira dhe të ndershme, të standardit europian. Patjetër që ato s‘mund të jenë pas katër vjetësh, sepse Shqipëria nuk mund të presë dhe katër vjet të tjera për të kapur standardet zgjedhore", tha Gjinushi.

Pak ditë më parë, aleati i Partisë Socialiste, Paskal Milo, paralajmëroi bojkotin e zgjedhjeve lokale të vitit 2011. "Unë nuk besoj se Shqipëria do të presë kaq gjatë, ose ka kohë të presë që të arrijmë në një bojkot të dytë të zgjedhjeve lokale. Nuk besoj se politika shqiptare dhe mazhoranca aktuale do të këmbëngulin kaq shumë dhe do t‘i shkaktojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve një situatë të tillë të paprecedentë", tha ai. Duke u tërhequr litari nga të dyja palët në mënyrë ekstreme, nënvizoi Milo, nuk mund të ketë kompromis. "Atëherë kompromisi do të gjendet jashtë kërkesave të tyre, pra të PS-së dhe PD-së, duke arritur në një moment të caktuar në mendimin se mund të ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme, të cilat kanë të gjitha gjasat që të zhvillohen së bashku me zgjedhjet lokale në momentin e duhur", tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›