Berisha takon diplomatin suedez, Lars Freden
Kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i Suedisë, rezident në Shkup, biseduan dje kokë me kokë për hapat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Zyra e shtypit të Kryeministrisë njoftoi se kreu i qeverisë priti në një takim ambasadorin e Suedisë për Shqipërinë, Lars Freden, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Në takim, u diskutua për prioritetet dhe punën që po bën qeveria shqiptare për integrimin me hapa të shpejtë të vendit në BE, si dhe për prioritetet e Presidencës Suedeze të BE-së për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE. Në takim u rikonfirmua gatishmëria e dy qeverive për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të përmbushur me sukses objektivat e qeverisë shqiptare dhe Presidencës së radhës së BE-së në lidhje me hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit europian. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Freden për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadër të Presidencës së radhës të BE-së. Ambasadori Freden e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe e uroi për rikonfirmimin e tij si Kryeministër dhe njëkohësisht, ai shfrytëzoi rastin ta urojë Kryeministrin Berisha për veprën madhore të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. "Sapo u ktheva nga Prizreni përmes kësaj rruge madhështore, e cila është një arritje e madhe e qeverisë shqiptare", u shpreh ambasadori Freden.