PS: Raporti i ODIHR-it ngeli në klasë Berishën
Një ditë pas publikimit të raportit final të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Partia Socialiste ka reaguar në mënyrë zyrtare duke e mirëpritur atë si një vlerësim real të situatës dhe momenteve të cilat shoqëruan zgjedhjet vendore të 8 Majit. Nëpërmjet deputetit Sajmir Tahiri, selia që në nisje të deklaratës së saj konstaton se “OSBE/ODIHR ngeli në klasë Sali Berishën”. “PS e vlerëson këtë raport si plotësisht objektiv, i cili ka qëmtuar deri në fund problemet e rënda që ka procesi zgjedhor në Shqipëri, duke dhënë rekomandime të vyera. Raporti i djeshëm përbën certifikatën e dështimit spektakolar të qeverisë për t’i dhënë qytetarëve dhe vendit zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më minimale demokratike të pranuara nga bota e qytetëruar. Aq më keq, raporti e thotë qartë se rezultati për Tiranën, nuk bazohet në ligj, por në vendime të KQZ-së dhe Kolegjit kontradiktore, të pambështetura në ligj, dhe politikisht të motivuara”, - u shpreh Tahiri në deklaratën e vet. Në analizën që i bën këtij Raporti, Tahiri ka theksuar se ai në asnjë faqe të tij nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje as si të lira, as si të ndershme, as si përmbushje e standardeve, qoftë edhe të pjesshme, siç ka deklaruar në të kaluarën. Raporti, sipas Tahirit, nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon të gjitha shqetësimet e ngritura nga Partia Socialiste para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë numërimin dhe tabulimin e rezultatit. “Vlerësimi i arbitrit ndërkombëtar është një nënvizim i asaj që kemi thënë që në fillim, se kryetari i BT nuk ka legjitimitet. Sigurisht që ne nuk presim që ai të japë dorëheqjen, sepse nuk e ka dhënë as kur grabiti miliona euro, as kur mori pjesë në vrasjen e protestuesve të opozitës, po ashtu sikundër nuk presim që të japë dorëheqjen as banda e Saliut në KQZ me në krye Ristanin, të gjithë me përgjegjësi themelore për shkatërrimin e zgjedhjeve në Tiranë” - tha Tahiri. Duke i bërë një lexim krejt të ndryshëm nga ai që i bëri Kryeministri dy ditë më parë, Tahiri ka theksuar se raporti e konstaton se numërimi i fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara cenoi kredibilitetin e një procesi të rregullt zgjedhor. “Sipas Raportit, numërimi i fletëve të gjetura në kutinë e gabuar ishte i parapërgatitur, i pambështetur në ligj, dhe i motivuar në shërbim të interesave politike. Sipas raportit, në përfundim të numërimit të rregullt të votave, fitues ishte Edi Rama me 10 vota, edhe pse KQZ-ja nuk e shpalli siç duhet të bënte. Kjo procedurë cenoi kredibilitetin dhe paanshmërinë e KQZ-së, duke e kthyer në një institucion të komanduar nga partia shtet. Vetë vendimet e Kolegjit Zgjedhor cilësohen nga raporti si kontradiktore, në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe që nuk i dhanë zgjidhje efektive problemeve që dolën gjatë këtyre zgjedhjeve”, - u shpreh Tahiri.