Gjinushi: Saliu po përdor negociatat për fitim kohe

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, vlerëson se përderisa Kryeministri nuk i hap rrugës transparencës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, atëherë ai duhet larguar
Lideri i PSD thotë se "Saliu po përdor negociatat vetëm për fitim kohe që të afrohen zgjedhjet lokale dhe të thotë se tani nuk kemi çfarë të bëjmë, të merremi me të ardhmen".
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka kritikuar dje Kryeministrin Berisha për zgjatjen e negociatave për hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke vlerësuar se shtyrjet për gjetjen e një zgjidhje është një lojë dhe po përdoret për të fituar kohë.
Në një prononcim për mediat, lideri i PSD tha se këto negociata do apo nuk do, marrin një karakter formal, deri edhe zhgënjyes, për opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, sepse negociohet për një gjë që o bëhet o s'bëhet.
Ai theksoi se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po negociojnë për një të drejtë kushtetuese. Pra, sipas tij, vetëm një shtet anormal negocion a duhet apo s'duhet që opozita të ushtrojë të drejtën e saj kushtetuese ose jo.
"Është negociuar tepër. Që në fillim duhet mbrojtur e drejta kushtetuese, sepse në fund të fundit dhënia e hetimit nuk favorizon apo s'favorizon kurrkënd. S'jam dakord me zgjatjen e këtyre negociatave, sepse është kthyer në lojë shumë e qartë.
Saliu po e përdor vetëm për fitim kohe që të afrohen zgjedhjet lokale dhe të thotë se tani nuk kemi çfarë të bëjmë, të merremi me të ardhmen", vlerësoi Gjinushi. Më tej, ai thotë se të ardhmen duhet të shohësh me më të keqin e së shkuarës dhe të tashmes.
Në këto kushte, aleati i Partisë Socialiste vlerëson se përderisa Kryeministri nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, atëherë ai duhet larguar. Pasi, sipas tij, nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë zgjedhjet do të vidhen përsëri dhe do të ishte utopi të mendohej se zgjedhjet që do të vijën nuk do të vidhen. "Rruga është, që ky ka vjedhur votën, ky vjedh përsëri.
S'ka ndryshuar asgjë. Përveç që vërtetoi se jo vetëm vjedh, por nuk lë të kontrollohet. Opozita është koha t'i thërrasë mendjes dhe të kuptojë një gjë. Pa largimin e shkaktarit të krizës të tjerat janë utopi. Janë gjuaj edhe njëherë pa të shohësh. Pra, janë dorëzim dhe bërje e një opozite formale", këshillon Gjinushi.
I pyetur mbi rezolutën e Parlamentit Europian, kryetari i PSD sjell në vëmendje se edhe Partia Demokratike sigurisht, me kasnecët e vet, me ata lejfenët që flasin vetëm çfarë thotë Saliu, thotë që nuk lejon asnjë interpretim rezoluta dhe kështu është. Sipas tij, rezoluta është e qartë, hetim ku komisioni të ketë mandatin edhe për materialet zgjedhore.
"Dhe ne pastaj fillojmë e pyesim a quhen fletët e votimit materiale zgjedhore! Kush i shton këto?! Kush është materiali zgjedhor dhe pse i trembesh pikërisht fletëve të votimit?!", komenton rezolutën e PE, Skënder Gjinushi. Pra, theksoi ai, rezoluta e Parlamentit Europian përfundimisht është e qartë.
Sepse, sipas kreut të PSD, mesa duket edhe te takimi te Krokodili, të dy palët, të majtë dhe të djathtë arritën të dallojnë se çfarë ka të bëjë me të majtën dhe të djathtën, pra preferencat partiake dhe çfarë ka të bëjë me themelet e shtetit. "Dhe konkluzioni është ky, s'mund të ndalosh një hetim", analizoi aleati i PS.