E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi Zgjedhje para kohe

I njohur për qëndrimet e prera dhe mjaft të ashpra ndaj kryeministrit Berisha, Skënder Gjinushi, kreu i Partisë Social Demokrate ka ruajtur të njëjtën vijë duke theksuar se ka ardhur momenti që opozita të ndryshojë pozicionin dhe kërkesat në raport me qeverinë dhe kreun e saj.

“Vendit i duhen zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri e KQZ që garantojnë zgjedhje të standarteve. Kjo është e vetmja zgjidhje për PSD dhe duhet ta mbështesë cdo opozitar. Shqipërisë i duhet një qëndrim opozitar i vërtetë dhe zgjedhje të vërteta”, ka deklaruar Gjinushi.

Sipas kryetarit të PSD, tashmë cdo kërkesë tjetër për transparencë është e kotë, pasi sipas tij, është kuptuar qartë se qeveria aktuale nuk do ta lejojë këtë gjë.

“Cdo thirrje për transparencë sot e tutje do tingëllonte si një tallje. Me qeverinë aktuale nuk ka transparencë as për votën, as për rrugën e kombit që u vodh nga hajdutët e kombit, as për Gërdecin dhe as për dështimin e statusit të vendit kandidat. Me këtë qeveri nuk ka të ardhme”, ka theksuar Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›