Gjinushi del kundër LSI për çështjen e KQZ
Socialdemokrati Skënder Gjinushi shigjeton Lëvizjen Socialiste për Integrim sa i takon anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në një prononcim publik, Gjinushi kujtoi faktin se në bazë të formulimit të mëparshëm të Kodit Zgjedhor, një anëtar i takonte Partisë Socialdemokrate. "Ne e toleruam dhe e lamë në favor të Lëvizjes Socialiste për Integrim", tha Gjinushi. Sipas të cilit, kjo dëmtoi pjesërisht partinë e tij, sepse po ai anëtar ka dalë edhe kundër saj dhe në dobi të manipulimeve. "Por jashtë këtyre çështjeve personaleve, përbërja e komisioneve duhet parë gjithnjë në raportin pozitë-opozitë dhe në atë që këto funksione të jenë efektive", vlerësoi socialdemokrati. Në vlerësimin e Gjinushit puna e këtyre komisioneve duhet të jetë e kontrollueshme. "Kjo çështja që, po nuk pata unë anëtar do të shkojmë deri në barrikada, do të thotë se ti paragjykon procesin", konstatoi Gjinushi. Pra, shtoi ai, pranon se zgjedhjet do të manipulohen dhe hajde tani kush të përfitojë më shumë me këtë manipulim. "Protestat janë një nga instrumentet, por e kemi theksuar se ato nuk vijnë vetëm nga opozita", theksoi Gjinushi. Ajo është pjesë, shtoi ai, apo edhe organizatore, por ama vet shtresat dhe shoqëria duhet të jenë më aktive për çështjet e keqqeverisjes, pasi preken drejtpërdrejt nga bëmat e qeverisë.