E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Do të udhëheqim një revolucion të furishëm

Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh sot Konventën Kombëtare dhe pas saj realizon protestën e parë qytetare. Deputeti Dritan Prifti denoncoi dje edhe njëherë përpjekjen, sipas tij, tinëzare, joparimore, arrogante, të dhunshme dhe përjashtuese të PD-PS për të monopolizuar administrimin e votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, formulat tinëzare të ndarjes së KQZ apo komisioneve të qendrave të votimit apo numërimit, që nuk garantojnë gjithëpërfshirje, nuk do të funksionojnë. "Nuk ka asnjë kriter që të përjashtojë LSI nga procesi i administrimit të zgjedhjeve të ardhshme. LSI është forca e tretë politike në vend e konfirmuar qartë edhe nga zgjedhjet e fundit të 2007", theksoi ai. Partia e dytë e së majtës thotë se është në Kuvend vetëm me votat e saja, pavarësisht se "Dushku" i vodhi asaj padrejtësisht të paktën 10 deputetë. "Cila forcë tjetër e madhe politike, përveç LSI, mund t‘i japë garancinë shqiptarëve se nuk do hyjë në pazare të pista me PS-PD për të vjedhur dhe shtrembëruar vullnetin e një populli të tërë?", shtroi pyetjen Prifti. Ai insistoi në faktin se kjo parti i ka treguar Shqipërisë se nuk shitet dhe nuk blihet, dhe ajo si në rastin e dhunimit të Kushtetutës më 21 prill, mbetet e vetmja forcë e madhe dhe e pamposhtur politike në krah të njerëzve të tradhtuar dhe poshtëruar nga PS-PD. LSI këmbëngul se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë një Kod Zgjedhor të hartuar nga interesa mafioze të përjetësimit të pushtetit nga grupe mafioze brenda PS-PD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›