Zihet me të shoqen, e rrahin kunetërit
Një konflikt familjar i ka kushtuar shumë një 43-vjeçari nga Burreli. Pasi është zënë me bashkëshorten, kjo e fundit është ankuar te vëllezërit, të cilët e kanë dërrmuar në dru kunatin e tyre. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në Tiranë, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim agresorët. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur mesnatën e djeshme, ndërkohë që i dëmtuari ndodhet në spital. Sipas informacioneve zyrtare, në orën 00:05 të ditës së djeshme, te Spitali Francez, ka shkuar i dëmtuar në fytyrë Arben Mila, 43 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në rrugën "Pasho Hyso". Gjatë marrjes në pyetje nga ana e policia, ai ka bërë kallëzim se, në orën 22:00 të dy netëve më parë, në rrugën "Pasho Hyso", pranë banesës së tij, pas një konflikti me bashkëshorten, është rrahur me grushte dhe shkelma, nga kunetërit e tij. Sipas policisë, dy agresorët janë Sokol dhe Erjon Mata, edhe ata me banim në Tiranë, përkatësisht 26 dhe 27 vjeç. Me të regjistruar këtë kallëzim penal, policia ka ushtruar kontroll në banesën e dy personave të dyshuar, por ata ishin larguar. Në këto kushte, uniformat blu i kanë shpallur në kërkim dy vëllezërit, të cilët akuzohen për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje".