OKB, Biberaj takim me Ban Ki Moon
Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, do të takohet me Sekretarin e OKB-së, Ban Ki Moon. Biberaj është në krye të një delegacioni të nivelit të lartë të KE-së, dhe u nis të dielën për një vizitë zyrtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Në përbërje të delegacionit marrin pjesë kryetarë të Grupeve Parlamentare, si dhe të Komisioneve Parlamentare të Këshillit të Evropës. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Biberaj dhe delegacioni i KE-së pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të niveleve më të larta të OKB-së, përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Temë e bisedimeve mes përfaqësuesve të KE-së dhe të OKB-së do të jetë dhe diskutimi dhe nënshkrimi i një Memorandumi i mirëkuptimi ndërmjet këtyre dy organizatave. Delegacioni i KE-së, gjatë qëndrimit në Nju Jork, parashikohet që më 3 nëntor të vëzhgojë nga afër zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në SHBA.