E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për dritat edhe pse nuk paguajnë faturat

Mungesa prej disa ditësh e energjisë elektrike në periferi të Shkodrës ka bërë që banorët e kësaj zone të kërcënojnë me bllokim të linjës hekurudhore Shkodër-Tiranë. Prej një jave, një lagje në periferi të Shkodrës te stacioni i trenit ka mbetur pa energji elektrike si pasojë e prishjes se transformatorit. Përveç mungesës së energjisë elektrike, banorët e kësaj lagjeje përballen edhe me rrezikshmërinë e transformatorit tashmë të amortizuar, i cili është kthyer në një problem serioz për të gjithë komunitetin. Banorët e kësaj lagjeje thonë se janë ankuar disa herë te zyrat e administratës së KESH-it, por asnjëherë fjala dhe revolta e tyre nuk është marrë parasysh. Ata ndihen të diskriminuar nga shteti, jo vetëm sepse janë lënë pa energji elektrike, por edhe pse premtimet që u janë bërë nga deputetët e zonës kanë mbetur vetëm fjalë. Të tjera probleme që shtrojnë këta banorë, janë edhe varfëria, papunësia dhe mungesa e ujit të pijshëm. Për sa i përket pagesës së energjisë, banorët tregojnë se ende nuk janë pajisur me matës elektrikë dhe ata nuk pranojnë të paguajnë faturat aforfe. Duke folur për gazetën, Mark Kola, banor i kësaj zone thotë se "ne duhet të shikohemi si banorë të Shkodrës dhe të mos diskriminohemi se jemi të ardhur. Kur është puna për vota na premtojnë se do të rregullojnë gjithçka, por realiteti po tregon se banorët këtu vetëm po mashtrohen dhe po lihen në mëshirë të fatit. Nuk na mbetet tjetër veçse të marrim masa ekstreme duke bllokuar rrugën apo linjën hekurudhore që kalon pranë nesh. Kështu mbase kujtohen se këtu ka njerëz që po mbijetojnë", thotë Mark Kola. Para disa muajsh, banorët e këtij komuniteti kanë blerë me forcat e tyre një transformator me vlerë 350 mijë lekë dhe e kanë vendosur në kabinën elektrike që ndodhet disa metra larg banesave. Por KESH e ka ndërruar transformatorin dhe ka vendosur një tjetër dhe që nga ajo ditë ka pasur vetëm probleme, pasi transformatorët e tjerë vetëm janë prishur duke mos përballuar ngarkesën që kishte rrjeti elektrik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›