Gjinushi dhe Milo: Me mos ndryshimin e sistemit, Rama synon të na “eliminojë”

Reforma Zgjedhore, PSV’91, PSD dhe PDS zyrtarizojnë grupimin politik brenda së majtës opozitare
Tre parti politike të spektrit të majtë zyrtarizuan dje grupimin politik brenda opozitës, në përpjekje për të influencuar Partinë Socialiste, për të marrë vendime bashkë me aleatët, në vijim të diskutimeve për reformën zgjedhore. PSD, PDS dhe PSV ’91, janë tre forcat politike që kanë shprehur haptazi pakënaqësinë e tyre, për mënyrën se si aleati i ‘madh’, Partia Socialiste, po përdor tryezën e reformës zgjedhore, duke i hequr të drejtën e propozimeve, të vegjëlve. Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi deklaruan dje se do ushtrojnë presion te lidershipi socialist, për të influencuar ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe rishikimin e pragut elektoral të përfaqësimit të partive të vogla në parlament. “Duket e njëjta klimë dhe i njëjti skenar si në 2009. Ata që gjoja bërtasin se të vegjlit jetojnë në kurriz të të mëdhenjve, shpikën ‘Dushkun e parë’ kundër të vegjëlve, pastaj shpikën ‘Dushkun e dytë’ për të komanduar votat midis të vegjëlve dhe së fundi mbajnë një sistem të ashtuquajtur spanjoll, për eliminimin e partive të tjera. Në rast se PS do të pranojë të bëjë reformë sipas tekave të PD-së, atëherë ajo është e dështuar dhe kjo shkon absolutisht në dëm te demokracisë dhe në dëm të opozitës”, u shpreh kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. Petro Koçi, kryetar i PSV’91 tha se grupimi i 3 partive të vogla të së majtës, bëhet me qëllim organizimin në formë partneriteti, i cili tejkalon kampet politike dhe do synojë mbrojtjen e interesave të partive të vogla në diskutimet për reformën zgjedhore, ku në thelb qëndron ndryshimi i sistemit zgjedhor. Kjo sipas tij, do bëhet më një plan të qartë veprimi, i cili do ushtrojë presion të vazhdueshëm pranë PS-së, në mënyrë që kjo e fundit të mos i marrë vendimet pa pëlqimin e aleatëve.
...