Qyteti do trajtohet si i tërë, s’do ketë diferencime në planin e investimeve

Projektbuxheti 2012, kryebashkiaku Basha konsultohet me banorët e njësive bashkiake nr. 6 dhe nr. 10
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka vijuar dje konsultimin për projekt buxhetin e vitit 2012, me banorë të njësisë bashkiake numër 10. Tetë projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore të kësaj njësie bashkiake mbështeten nga projekt - buxheti i vitit 2012. “Në Njësinë Bashkiake numër 10 e cila është një njësi me vlera historike dhe ndër më të vjetrat e Tiranës, ne kemi parashikuar për vitin e ardhshëm 8 projekte, të cilat kanë të bëjnë me rrugët ‘Bogdani’, ‘Islam Alla’, ‘Mujo Ulqinaku’, ‘Him Kolli’ , ‘Gjon Muzaka’, ‘Mine Peza’, ‘Mihal Duri’ dhe ‘Hajdar Hili’. Në projekt-buxhet parashikohet rikonstruksioni i pjesshëm, shtesa anësore dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën ‘Avni Rustemi’ dhe rikonstruksioni i plotë dhe shtesa e ambienteve në shkollën e mesme ‘Qemal Stafa”, theksoi kryebashkiaku Basha.
Po kështu Basha i ka njohur banorët edhe me parashikimet e projekt-buxhetit, për gjithë qytetin. Basha bëri të ditur se qyteti nuk do të trajtohet pjesë-pjesë, por si një i tërë, duke iu përmbajtur filozofisë, që qyteti fillon në pragun e derës së çdo qytetari.
Janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane: Parashikohet ndërtimi i rreth 65.000 m2 rrugë; 33.000 m2 do të jenë rrugë tërësisht të reja; Rikonstruksioni i rreth 153.000 m2 rrugë ekzistuese; Rikonstruksioni i 79.000 m2 trotuarëve; Ndërtimi i dy urave; Rehabilitimi i sinjalistikës së qytetit horizontale & vertikale, korsitë e dedikuara
Etj, bëri ët ditur Basha.
Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçante në buxhet, ku është parashikua: Ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare; Ndërtimi i 2 shkollave të reja të mesme; Rikonstruksion i plotë i 8 shkollave; Ndërtimi i 3 kopshteve dhe rikostruksioni i 11 të tjerave; Ndërtimi i 2 çerdheve të reja dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave; Do të vijojë ofrimi i bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer; Do të ofrohen shkolla verore për fëmijët, shtroi më tej kryabashkiaku i Tiranës. Vëmendje të veçantë, Bashkia i ka kushtuar mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale: Ngritja e 6 qendrave të reja sociale; Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese; Bonusi i Qerasë për familjet në nevojë; Programi i Integrimit të të Pastrehëve; Në 2012 do të fillojë funksionimi i banesave sociale; Janë parashikuar lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistë dhe veteranë; Studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale, nëpërmjet partneritetit publik-privat.
Njësia bashkiake nr. 6, Basha: Projektbuxheti 2012 parashikon trefishim të investimeve
Në vijim të konsultimeve me qytetarët e njësive bashkiake të kryeqytetit, kryebashkiaku, Lulzim Basha u ndal dje pasdite në njësinë bashkiake nr.6. Basha ka bërë një prezantim të të gjitha projekteve që do të mbështesin me fonde nga buxheti i vitit 2012. Ky projektet buxhet parashikon trefishim të investimeve në Tiranë dhe shtrirje të tyre në të gjithë territorin. Në këtë buxhet Bashkia ka parashikuar fonde edhe për të paguar principalin e kredive të marra dhjetë vjet më parë. “Ndonëse këtë vit buxhetor Bashkia e Tiranës do të nisë të paguajë principalin e kredive të marra dhjetë vite të kaluara, sërish ne, edhe pse kemi ulur taksat dhe tarifat, kemi një prognozë financiare, e cila në një skenar optimal, jo optimist, mundëson këto investime që përthyen në dy plane: një strategjik në investime të mëdha dhe një plan kapilar, në investime që shtrihen kudo në qytet, kudo ku nis qyteti nga dera e çdo qytetari”, tha Basha.
Kryebashkiaku ka bërë një prezantim të projekteve të Njësisë Bashkiake numër 6. Krahas infrastrukturës rrugore parashikohet edhe ndërtimi i një shkolle të re 9 vjeçare dhe rindërtim i një kopshti. Kombinati është një nga zonat përfituese edhe nga projektet strategjike si unaza apo linja e tramvajit. “Në njësinë Bashkiake nr. 6 ne kemi veçuar këto projekte komunitare: rikostruksionin e rrugës ‘Hamdi Cenojmeri’, rikostruksionin e rrugës ‘Llambi Ziçishti’, me shtresa, kanalizimet, trotuarët dhe ndriçimin rrugor. Në infrastukurën sociale do të kemi ndërtimin e kopshtit të ri nr 21 si dhe ndërtimin e një shkolle 9 vjeçare të re me tri kate afër ish Kombinatit të Tekstilit, me kapacitet prej 900 nxënësish, me te gjithë laboratorët, palestër dhe ambiente të gjelbëruara. Tek investimet publike strategjike do të kemi investime që do t’i japin ndikim të drejtpërdrejtë në këtë zonë qytetit të tilla si unaza dhe vazhdimi i saj, nga Shkolla Teknologjike tek Qendra Kristal, e deri tek përgatitjet për përmirësimin e transportit publik me investimin me dy linja të Tramit, njëra prej të cilave jo vetëm kalon në këtë lagje por ka një prej terminaleve kryesore”, tha Basha.
Në përgjigje të kërkesës së shtruar nga Kryetari i Njësisë Bashkiake Krenar Cenollari për bashkëpunim, Basha tha se ai është i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë kryetarët e Njësive Bashkiake që kanë prioritet të axhendës së tyre qytetarin.