Gjinushi e Milo: Sali Gërdeci e Ilir Floriri smund të bëjnë moral politik
Takimet Rama – Meta kompromentojnë moralin e PS, veçanërisht pas ngjarjeve që kulmuan me 21 janarin. Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo komentojnë për “AS” afrimin e ditëve të fundit mes PS dhe LSI. Është vetëm vijim i pazareve të viteve të fundit në politikën shqiptare, që nisin me takimin Berisha – Nano e vijojnë me koalicionin PD – LSI, deklarojnë ata.
“Është një veprim që vështirë për ti dhënë moral. Anën morale të Ramës në këtë takim përpiqen ta shohin pikërisht ata që nuk kanë asgjë të moralshme në ngritjen e kësaj qeveria. Sali gërdeci dhe Ilir floriri lëpin gjithçka dhe ngritën një qeveri gjoja në emër të një morali të ri, ndërkohë që kjo ngrihet pikërisht mbi abuzivizmin e mashtrimin“, deklaroi Gjinushi.
Ndërsa Milo thotë: “Politika duhet të dialogojë, por mendoj që, nëse fjala është në kuadrin e një bashkëpunimi për të sjellë presidentin, kjo është një çështje, apo fjala është për një bashkëpunim përtej zgjedhjes së presidentit”.
Të dy aleatët e PS nuk e vënë në dyshim, se, takimet Rama – Meta nuk kanë vetëm presidentin në fokus por bashkëpunimin elektoral.
“Ka një tendencë për tu afruar me LSI-në në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ka disa zëra në partinë Socialiste, të cilat deklarohen dhe ndikojnë që afrimi me LSI-në të përjashtojë koalicionin e partisë Socialiste me aleatët e vet tradicional“, deklaroi Milo.
Ndërsa Gjinushi, në lidhje më këtë, shprehet: “Çmontimi, pra largimi i LSI-së nga qeveria do të ishte veprimi i parë që të ishte një farë reflektimi ndaj opinionit publik dhe veçanërisht ndaj votuesit të majtë, që janë më të zhgënjyerit dhe më të tradhtuarit në këto lëvizje të LSI-së. Për sa kohë që ska ndodhur kjo gjë, opozita vetëm merr ngarkesë në çdo lloj afrimi me LSI-në“.
Paskal Milo e Skendër Gjinushi hedhin poshtë zërat se afrimi PS – LSI mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë.
Ndërsa kreu i Demokracisë Sociale nuk është kundër një bashkëpunimi me LSI për zgjedhjet e 2013, për kreun e PSD më e rëndësishme është që të shkohet në këtë garë përmes një qeverie teknike.