Gjinushi mbështet Ramën: Jo bojkotit të Kuvendit
TIRANË- Socialdemokratët dalin në krah të socialistëve, në debatin për mjetet që duhet të përdorë opozita për largimin e kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, vlerëson se largimi i opozitës nga Kuvendi nuk është rruga më e mirë për t’u ndjekur për largimin e Berishës. Duke e konsideruar largimin e kryeministrit Berisha si jetike për të ardhmen evropiane të vendit, kreu i PSD-së thekson se ka mjete dhe metoda të tjera të cilat mund të sjellin këtë rezultat. Një prej të cilave, sipas socialdemokratëve, mbetet mocioni i mosbesimit në Kuvend, pavarësisht se opozita e sotme nuk siguron 71 votat e nevojshme që një nismë e tillë të kishte rezultat. “Largimi nga Parlamenti nuk është i vetmi mjet. Është tjetër gjë metodat që duhen përdorur, është tjetër gjë se si e koncepton luftën politike njëra apo tjetra parti, por partia jonë ka qenë shumë e qartë se e vetmja reformë që mund të bëhet me këtë qeveri, është largimi i kësaj qeverisjeje. Prandaj ne e mirëpresim dhe patjetër e nxisim një mocion ndaj Kryeministrit, sepse është minimalja që mund të bëjë një Parlament normal”, - tha Gjinushi, i cili beson se një nismë të tillë mund ta mbështesin edhe deputetë të djathtë të cilët, sipas tij, kërkojnë të ndalin uzurpimin e institucioneve të drejtësisë nga ekzekutivi. Megjithëse koshient se edhe një nismë e tillë për shkak të votave rrezikon të mos ketë produktin e duhur, Gjinushi thekson se mocioni mund të jetë hapi i parë i sensibilizimit të qytetarëve me idenë e domosdoshmërisë së largimit të këtij kryeministri. “Opozita nuk ka gjithmonë në dorë të imponojë ndryshimet që kërkohen, por ka në dorë të sensibilizojë, të inkurajojë dhe të bëhet bashkë me shumicën e shqiptarëve, për të shprehur nevojën imediate të ndryshimit sa më të shpejtë”,- shtoi më tej Gjinushi. Pavarësisht dallimeve që ekzistojnë mes vet të majtëve për mënyrën e të bërit opozitë, sidomos ndaj qëllimit për të rrëzuar Berishën, PSD vlerëson tryezën si pozitive, pasi mundi të prekë me diskutimet e saj, çështje shumë të rëndësishme për ekzistencën e demokracisë në vend, siç është pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe siguria e jetës në vend.