Britania e Madhe: Qeveria, duart larg nga reforma në drejtësi
TIRANË- Shtohen zërat e ndërkombëtarëve për realizimin sa më parë të reformës zgjedhore. Pas diplomatëve amerikanë në Tiranë, një kërkesë të tillë e ka shtruar para politikanëve shqiptarë edhe nënkryetarja e Dhomës së Komunave në Parlamentin Anglez, Silvia Hill. Në kuadër të vizitës së saj dyditore në Shqipëri ajo ka mbajtur një fjalë përshëndetëse edhe në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë së cilës ka evidentuar një sërë detyrimesh që duhet të përmbushë klasa politike shqiptare, midis të cilave realizimin sa më parë të reformës zgjedhore dhe zbatimin e ligjeve. Duke u ndalur pikërisht tek reforma elektorale, Hill ka theksuar nevojën që, së pari, ajo të realizohet me një pjesëmarrje sa më të gjerë të forcave politike dhe, së dyti, të miratohet sa më parë, si e vetmja mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një infrastrukturë të duhur zgjedhore. “Siç e dimë te gjithë, zgjedhjet, që janë dhe konsiderohen të lira dhe të ndershme, janë treguesi më i mirë i demokracisë për çdo vend. Për këtë është e rëndësishme që marrëveshjet që paraprijnë një proces zgjedhor të kenë një mbështetje të gjerë. Është gjithashtu e rëndësishme që këto marrëveshje të arrihen mjaft kohë përpara, në mënyrë që të sigurohet që ato persona që administrojnë zgjedhjet, të jenë në dijeni që herët për zgjedhjet, për çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë”, - tha nënkryetarja e Dhomës së Komunave në Parlamentin Anglez, Silvia Hill, në fjalën e saj para deputetëve tanë. Një tjetër çështje për të cilën parlamentarja e lartë britanike ka shprehur interes në fjalimin e saj ka qenë dhe reforma në drejtësi, për të cilën ajo ka theksuar se është shumë e nevojshme që të realizohet larg çdo ndikimi politik, duke evidentuar sidomos influencën e qeverisë. “Një tjetër sferë, që e di se është e rëndësishme në këtë periudhë, është edhe reforma në drejtësi. Kjo është një fushë e rëndësishme në të gjithë vendet. Që një sistem ligjor të funksionojë me efikasitet, duhet mbështetja e njerëzve të atij vendi. Prandaj është e rëndësishme të sigurohet pavarësi nga influenca të jashtme, qoftë nga qeveria, nga ndonjë individ, trup, ose grup. Legjislacioni duhet të sigurojë drejtësi efikase dhe transparente, të çliruar nga korrupsioni. Duhen marrë masa që të askush të mos abuzojë me pozicionin që ka, por këta masa nuk duhet të anashkalojnë faktin se individë që punojnë në sistemin e drejtësisë, nuk duhen penguar në përmbushjen e detyrave të tyre legjitime”, - tha më tej Hill. Gjithashtu, duke mbetur tek fusha e drejtësisë, Hill është shprehur se faktori ndërkombëtar pret rezultate më konkrete, sidomos përsa i përket vënies para përgjegjësisë të atyre individëve që janë përfshirë në afera korruptive, apo në çdo lloj aktiviteti të paligjshëm. “Ku ka tregues për korrupsion, qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë kudo tjetër, është e domosdoshme që të bëhen investigime të thella, dhe aty ku dyshimet vërtetohen, atëherë personat e përfshirë duhet të vihen para drejtësisë”,- u shpreh Nënkryetarja e Parlamentit të Anglisë. E rëndësishme, sipas saj, mbetet zbatueshmëria e legjislacionit. Këtu ajo ka theksuar se, themelore për një klasë politike nuk është vetëm të miratojë ligje të mira, por edhe të garantojë zbatueshmërinë e tyre. Në këtë linjë ajo ka sjellë në vëmendje të parlamentarëve tanë se nuk kanë asnjë vlerë ligjet e mira, në rast se ato nuk zbatohen nga institucionet shtetërore. “Të miratosh legjislacionin, s’është e mjaftueshme. Është e domosdoshme që ky legjislacion të zbatohet plotësisht. Si deputete, e di se është më mirë që një legjislacion të mos miratohet fare, sesa të miratohet dhe të mos zbatohet. Dhe në kërkesën e saj për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria nuk do të gjykohet nëse legjislacioni i miratuar është i standardeve të BE-se, por nëse ai zbatohet”,- përfundoi fjalën e vet parlamentarja e lartë angleze, Silvia Hill.