Nis përmbushja e kontratës së kryeministrit Berisha me shqiptarët

Rikthehet funksionimi normal i kabinetit qeverisës, me përmbushjen e zotimeve elektorale, të shqiptuara në fushatën e fundit zgjedhore. Ulja e moshës së pensionit për minatorët dhe përfshirja e letrave me vlerë në aksionin masiv të legalizimeve, dy vendimet e para të një sërë vendimeve që pritet të vihen në zbatim në 4 vitet e ardhshme nga qeveria “Berisha 2”
Pak më shumë së një javë nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kryeministri Sali Berisha ndërmerr nismat e para për të kthyer në realitet premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Qeveria e kryeministri Berisha, ka shndërruar në ligje disa nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Ulja e moshës për daljen në pension të minatorëve, rimbursimi brenda një muaji e TVSH për bizneset, futja në përdorim e letrave me vlerë në tregun e legalizimeve dhe shkurtimi i shpenzimeve operative me 10 për qind, ishin çështjet kryesore të diskutuara dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave.
Gjatë gjithë fushatës elektorale të muajit të kaluar, kryeministri Berisha i premtoi minatorëve të të gjithë vendit se qeveria do të ulë moshën e pensionit për ta, me 5 vjet. Rimbursimi i TVSH për bizneset, ishte një tjerr premtim e qeverisë Berisha, sikurse edhe futja në treg e letrave me vlerë për procesin e legalizimeve. Futja në përdorim e letrave me vlerë në tregun e legalizimeve, do të kërkojë ndryshim në ligjin e legalizimeve. Në këtë të fundit përcaktohet se legalizimi bëhet në vlerë monetare ndaj dhe ndërhyrja në ligj do të synojë përcaktimin, se 80 për qind e objektit për legalizim do të bëhet me letra me vlerë.
Ulet me 5 vjet mosha e daljes në pension të minatorëve
Kryeministri Berisha e konsideroi vendimin përmbushjen e një premtimi elektoral të qeverisë për këtë kategori. “Minatorëve iu premtua ulja e moshës së pensionit me 5 vite. Edhe ky ligj shkon në parlament. Minatorët në Shqipëri nuk do të dalin 65 vjeç në pension, por 60-të”, tha Berisha. Shefi i ekzekutivit bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Financave do të paraqesë edhe skemën për rritjen e pensionit për minatorët. “Ministria e Financave, ka marrë porosi dhe udhëzimin që të paraqesë skemën e rritjes së pensioneve të tyre, që minatorëve u është premtuar, së bashku me uljen me 5 vjet të moshës së pensionit. Ne duhet të jemi realistë. Ata kanë qenë njerëzit që kanë kontribuar në të ardhurat kombëtare më shumë dhe që kanë marrë më pak. Tani është koha që pensionet e tyre të rivlerësohen, në mënyrë që edhe ata të ndjejnë qëndrim të ri ndaj tyre”, deklaroi kryeministri Berisha
Rimbursimi i TVSH, për bizneset
Këshilli i Ministrave vendosi dje që për Tatimin e Vlerës së Shtuar ose TVSH, të rimbursohet bizneseve brenda një muaji. Premtim që sipas kryetarit të qeverisë do t’i japë fund arbitraritetit në këtë fushë.
Uljen e taksës së tabelës në 1 euro, kryetari i qeverisë ua premtoi edhe biznesmenëve të atij, që njihet si tregu çam në Tiranë. Vendimit të qeverisë i shtohet dhe detyrimi i vendosjes së emërtimeve në shqip, përjashtuar këtu filialet e huaja.
Qeveria vendos që taksa për tabelat emërtuese të jetë një euro.
Kryeministri Berisha tha se nga ky vendim do të përfitojnë vetëm ata që emërtesat në tabelat e tyre i kanë në gjuhën shqipe, duke përjashtuar emërtesat e filialeve të kompanive të huaja.
“Taksa e tabelës do të jetë një euro, me kusht që tabelat të kenë emërtesë shqip. Askush nuk do të mund të na vendosë emra të huaj në to, por në gjuhën shqipe. Në rast të kundërt, nuk përfitojnë nga ky ligj. Unë mendoj se në të gjithë vendin duhet të kemi një standard të tillë, përveç atyre që janë filiale të kompanive të huaja.”
Shkurtohen shpenzimet operative me 10 për qind
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që të shkurtohen shpenzimet operative në masën 10 për qind, pasi sipas tij “jemi në një kohë kur ekonomia botërore po kalon një krizë financiare”. Gjithashtu, Kryeministri Berisha udhëzoi ministrat e kabinetit qeveritar, që deri në fund të muajit korrik, të finalizohet projekt-buxheti i vitit 2010.
Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha kërkoi që ky buxhet të jetë buxheti i antifragmentarizmit. Kryeministri theksoi se është mjaft e rëndësishme që në këtë buxhet të ketë përqendrim në projektet më të mëdha dhe qenësore, në mënyrë që të mos shkohet në fragmentim.
“Fragmentimi është një dukuri që e avullon buxhetin dhe e bën atë të pandjeshëm”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se në hartimin e projekt-buxhetit të vitit 2010, ministritë e kabinetit qeveritar do të asistohen në çdo hap dhe në mënyrë permanente nga Ministria e Financave
Përdorimi i letrave me vlerë në procesin e legalizimit
Qeveria miratoi dje edhe vendimin për disa ndryshime në ligjin për “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Kryeministri Berisha u shpreh se këto ndërhyrje në ligjin e legalizimeve bëhen në përputhje me premtimin elektoral, për të lejuar përdorimin e letrave me vlerë, në pagesën e ndërtimeve që do të legalizohen. “Lidhur me letrat me vlerë, pas një analize shumë serioze të juristëve, ata mendojnë se duhet të ndërhyhet patjetër në ligjin e legalizimeve, pasi ky ligj ka të përcaktuar që pagesa bëhet në lekë. Kështu që duhet të ndërhyjmë në ligj, në përputhje me premtimin e bërë. 80 për qind të vlerës të të gjithë sipërfaqes që i takon në përputhje me ligjin do ta paguajnë me letra me vlerë”, tha Berisha.
Kryeministri sqaroi se për sipërfaqet jashtëligjore, që ligji e parashikon me vlerë tregu, 50 për qind e tyre do të paguhen me letra me vlerë.
“Në qoftë se një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 m2 në përputhje me ligjin, ai 80 për qind do t’i ketë, pra, ashtu siç janë përcaktimet ligjore. Sipërfaqja ekstra, që është jashtë parashikimit ligjor të procesit të legalizimit dhe që është parashikuar të paguhet me vlerën e tregut, do të jetë 50 me 50.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri shtoi gjithashtu qeveria ul në masën 0.5 për qind të vlerës së banesës për legalizim, taksën e infrastrukturës “Është bërë dhe një ndërhyrje jashtëzakonisht e domosdoshme për procesin e legalizimit, është ulur taksa e infrastrukturës. Duke qenë se ky është një proces masiv është vendosur që kjo taksë të jetë 0.5 për qind e vlerës së banesës për legalizim”.
Taksat e tabelave reklamuese në qytetet dhe rrugët e vendit
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin, i cili ndër të tjera, përcakton rritjen e taksës së tabelave të reklamave, në qytetet dhe rrugët e vendit. Kryeministri u shpreh se kjo masë ndërmerret për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve vendore dhe për të kufizuar në një shkallë ndotjen vizive që transmetojnë reklamat, në rrugët dhe qytetet e vendit.
“Do të rritet në mënyrë të ndjeshme taksa e tabelave të reklamave, në qytetet dhe rrugët e Shqipërisë. Deri më sot, kjo taksë ka qenë shumë e ulët, ka qenë qesharake, ndërsa tani merr një vlerë të re, të rëndësishme. Kjo masë ndërmerret për të ndihmuar autoritetet vendore, por edhe për ta kufizuar në një shkallë ndotjen vizive që japin reklamat për të cilat sot ka tendencë botërore drejt kufizimit të tyre”, tha kryeministri.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për lojërat e fatit”, i cili ka si qëllim rishikimin e niveleve të tarifave fikse për kazinotë, duke rritur nivelin e tyre, në krahasim me nivelet që aplikohen aktualisht.
Ndër të tjera në mbledhjen e qeverisë u miratua vendimi për një ndryshim në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin përcaktohet rritja e akcizës për pijet alkoolike, kafen dhe duhanin. Vendimi synon përafrimin e nivelit të akcizës, për këtë kategori mallrash, me nivelet e rajonit, si dhe me nivelet e BE-së.
Ndërtuesit, punë me tre turne për ndërtimin e veprave publike
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha kërkoi nga Ministri i Punëve Publike ngritjen e një Task Force, për ndjekjen dhe zbatimin me përpikëri të Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton punën me tre turne të firmave ndërtuese, të angazhuara në vepra publike.
Duke vlerësuar shumë të rëndësishëm faktorin kohë, Kryeministri tha se do të ndërmerren masa ligjore, të parashikuara në ligj, për ata që nuk e zbatojnë këtë vendim.
“Zoti Ministër i Punëve Publike, konstatohet se një seri firmash nuk punojnë turni i tretë. Kërkoj ngritjen e një Task Force nën drejtimin tuaj personal dhe zbatimin me rigorozitetin më të madh të ligjit. Koha është më e çmuara për ne. Këta zotërinj kur fitojnë tenderët, e pranojnë vendimin e qeverisë për punën me tre turne. Natyrisht ky vendim nuk mund të zbatohet në çdo kohë klimaterike, por tani e deri në tetor, ai që nuk e zbaton këtë vendim, duhet të ndëshkohet në përputhje me ligjin. Ndëshkimet janë të mjaftueshme, por po të jetë e nevojshme, do t’i shtojmë. Çdo kompani duhet ta ketë të qartë se për ne koha ka çmimin më të lartë”.
...