E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjirokastër/ Po transportonte 22 emigrantë të paligjshëm, përplasi 2 makina dhe dëmtoi efektivin, arrestohet 34-vjeçari

Një 34-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi po transportonte me furgon 22 emigrantë të paligjshëm.

Në aksin nacional Përmet–Këlcyrë, 34-vjeçari pikasi efektivët e policisë dhe në tentativë për shmangien e tyre aksidentoi dy automjete që ndodheshin në rrugë. Për pasojë mori dëmtime të lehta edhe një punonjës policie.

Emigrantët ilegalë vinin nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

“Gjatë operacionit në aksin nacional Përmet-Këlcyrë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit furgon tip “Opel”, me drejtues shtetasin A. H., i cili po transportonte kundrejt pagesës, 22 emigrantë nga vendet MENA.

Në tentativë për të shmangur kapjen nga shërbimet e Policisë, shtetasi A. H. ka aksidentuar dy automjete që ndodheshin në rrugë, si dhe ka dëmtuar lehtë një punonjës policie që ishte në shërbim, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në pranga ra 34-vjeçari A.H., banues në Lushnjë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon i tipit “Opel” dhe 3 celularë.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›