E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokaster aksion i bashkiakeve. Prishen objektet pa leje

Ka nisur në Gjirokastër për herë të parë pas 20 vjetësh të shfaqjes së ndërtimeve pa leje prishja e tyre në zonën muzeale. Inspektoriati i ndërtimit, në bashkëpunim me policinë bashkiake ka ndërmarë aksionin që synon të normalizojë situatën e krijuar në zonën muzeale të qytetit ku ndërtimet pa leje kanë tjetërsuar dhe deformuar arkitekturën karakteristike të zonës.

“Inspektoriati ndërtimor i bashkisë ka ndërmarrë një aksion për prishjen e disa ndërtimeve pa leje që bëhen në zonën muzeale. Përfitoj nga rasti që duhet tu bëj thirrje qytetarëve që të mos bëjnë ndërtime të tilla në zonën muzeale pa u miratuar projekti në ministrinë e Kulturës dhe nga Zyra e Urbanistikës në bashkinë e Gjirokastrës. Për mëse një muaj Inspektoriati ka bërë evidentimin e ndërtimeve pa leje në zonën muzeale dhe të njëjtën gjë do të vazhdojmë edhe në ditët që vijnë”- tha përgjegjësi i policisë bashkiake, Kostandin Tola.

Prishja e ndërtimeve ilegale synon të rikthejë në identitet godinat e shpallura “monument kulture” dhe për të ruajë strukturat ndërtimore të para viteve ‘90. Në Gjirokastër që pas viteve 90 numërohen më shumë se 280 ndërtime pa leje si dhe ndërhyrje jashtë normave arkitekutorore nëpër objekte, të tilla si zëvëndësimi i çative të gurit me tjegulla apo edhe shtesa të ndërtuara me tulla etj.

Ismail Xhaferri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›