E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokaster, banesat muzeale rrezikojnë banorët

Nga Ismail Xhaferi
Nis rikonstruksioni i shtëpive të Gurgait e Pumove. Problematike, banesat e Kokobobove, Ficajve e Cenajve. Sipas Drejtorisë së Monumenteve fondi 1 milionë e 300 dollarë nuk mjafton. 

GJIROKASTËR Një numër i konsiderueshëm i shtëpive të vjetra të qytetit të Gjiro-kastrës, që janë njëherësh edhe Monumente Kulture të kategorisë së parë, të dytë apo të tretë, mbartin përherë e më shumë rrezikun e shembjes. Kjo për shkak të mungesë së investimeve apo degradimit të tyre të plotë. Për mjaft banesa karakteristike në qytetin e gurtë, nuk mund të flitet për ruajtje të vlerave muzeale dhe arkitektonike, por thjesht për të ruajtur jetën e njerëzve që banojnë në to apo të atyre që mund të kalojnë rastësisht nëpër rrugicat e ngushta, afër këtyre shtëpive. Katër vite më parë, në një nga këto banesa në lagjen "Pllakë" humbi jetën nën rrënojat e shtëpisë që u rrëzua, një 68-vjeçare, ndërsa nipi i saj shpëtoi mrekullisht. Aktualisht në Gjirokastër, ku nëpërmjet UNESKO-s po investohen 1 milion e 300 mijë dollarë në disa nga objektet muzeale, janë me dhjetëra shtëpi me rrezik shembjeje dhe dhjetëra të tjera që janë kthyer në togje gurësh. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, shprehen se investimi i UNESKO-s është shumë pak krahasuar me nevojat për ndërhyrje. Shtëpitë muzeale më problematike e që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme janë: E Halimatve, së cilës i është rrëzuar çatia; e Hadërtave, me çati të shkatërruar (madje edhe një pjesë e mureve); Lalamanin; Cenajt Gurgajt; Kolojt dhe ajo e Ficajve, që është duke dhënë "shpirt". Por rrezikun më të madh në Gjirokastër, aktualisht e mbart shtëpia e Kokobobove, një banesë mbi 200-vjeçare dhe Monument Kulture i kategorisë së parë. Kjo shtëpi në lagjen "Palorto", fare pranë gjimnazit "Asim Zeneli", e dëmtuar rëndë në mure dhe në çati, rrezikon jetën e nxënësve, të cilët kalojnë përditë në rrugën afër saj. Shtëpia e Kokobobove, e braktisur nga pronarët e saj që në vitin 1945, është një "gojë e hapur" që mund të gëlltisë jetë njerëzish. Mjafton një erë e lehtë dhe ndërtesa karakteristike kthehet e gjitha gërmadhë. Por këto shtëpi në ikje e sipër, veç rrezikut të madh për të zënë nën themele njerëz të pafajshëm, janë edhe një prezantim i pakëndshëm i vlerave tonë për turistët e huaj, të cilët lëvizin nëpër Gjirokastër nga njëra lagje karakteristike në tjetrën. "Ne jemi në dijeni të rrezikut që u kanoset banorëve nga shtëpitë muzeale të dëmtuara, ndaj gjatë kësaj kohe po punojmë intensivisht për të bërë sa të jetë e mundur për shmangien e ndonjë tra-gjedie të mundshme", - thonë përfaqësues të Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›