Prokuroria: Bllokim pasurive të ish-hetuesit
TIRANE-Prokuroria e Tiranës u ka kërkuar zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si dhe bankave, të verifikojnë e bllokojnë pronat dhe pasuritë e ish-hetuesit Thoma Marina, i cili po hetohet për veprën penale të "korrupsionit". Burime pranë organit të akuzës pohojnë se ka dyshime se ish-oficeri Marina ka përfituar shumë të mëdha parash nga veprimtaria e jashtëligjshme dhe për pasojë është kërkuar verifikimi dhe bllokimi i tyre. Shkresat zyrtare të njësisë së specializuar Task-Force ende nuk kanë marrë një përgjigje nga hipotekat dhe bankat, por familjarët e oficerit të arrestuar nuk mund të bëjnë asnjë tjetërsim pasurie apo transferim të parave. Ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Durrësit, përfundoi në pranga tri ditë më parë, pasi dyshohet se në këmbim të mbylljes së një dosjeje ndaj një personi që kishte nën hetim, ka marrë shumën prej 10 mijë eurosh. Mbi supet e tij rëndon akuza e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Njësia Task-Force po heton për të zbuluar nëse ish-hetuesi ka marrë ryshfet në ndonjë rast tjetër.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)