Gjirokastër, bllokohet shembja e ndërtesave muzeale, mund të restaurohen
Bllokohet shembja e ndërtesave muzeale në Gjirokastër, të cilat paraqesin rrezikshmëri serioze për banorët. Gjithçka është bërë e ditur nga ana e specialistëve të Bashkisë së Gjirokastrës, të cilët kanë garantuar se shembja e 12 banesave të rrezikuara për tu rrëzuar, do të ndalet. Duket se shkaku është gjendur në mundësinë reale të gjetjes së fondeve për ti shndërruar ato në identitet.
Ka qenë një iniciativë e Bashkisë së Gjirokastrës, e cila është marrë në konsideratë nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës së bashku me Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit muze, që ka në thelb pikërisht transformimin e monumenteve të hershme të kulturës gjirokastrite, duke stopuar momentalisht shembjen e tyre. Me mundësinë e çeljes së fondeve për restaurim specialistët e monumenteve të kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës, kanë bllokuar shembjen e kontrolluar të 12 banesave karakteristike. Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Gjirokastrës, ka miratuar para disa kohësh shembjen e kontrolluar të 12 banesave të gurta, pasi gjendja e tyre konsiderohet rrezik shembjeje. Paraprakisht nga institucionet e monumenteve të kulturës, grupi i banesave të gurta ishin shpallur nga ana e specialistëve si mjaft të rrezikshme, çka mund të shkaktonin edhe dëmtime në njerëz apo dhe kalimtarë të rastit. Por me dëshirën e mirë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore dhe mundësinë e akordimit të fondeve për restaurimin e tyre nga ana e qeverisë shqiptare, specialistët e monumenteve te kulturës dhe pushtetit vendor kanë ndërhyrë për momentin vetëm për shembjen e kontrolluar të banesës së Koloit, në lagjen Varrosh. Sipas përfaqësuesve të këtyre institucioneve procesi i shembjes së kontrolluar i banesave të tjera, do të bllokohet përkohësisht në mundësinë e akordimit të fondeve për restaurimin dhe kthimin e tyre në identitet. Shembja e banesave në zonën historike të qytetit, startoi pak ditë pas tragjedisë së 9 nëntorit të vitit të kaluar ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën 6 të tjerë si pasojë e rrënimit të një pallati në lagjen 11 Janari.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1