E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, çelet Qendra e Informimit Turistik në Pazarin karakteristik

Një njerin prej mjediseve të gurta të Pazarit karakteristik të Gjirokastrës është çelur një qendër e re informimi për grupet turistike vendase dhe të huaja që mbrijnë në qytetin e UNESCO-s. Kjo qendër ka nisur të funksionojë në mjediset e Zyrës së Kordinimit dhe Administrimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës e cila ndodhet në pjesën historike të qytetit. “Realizimi i kësaj nisme synon zgjerimin e informacionit të grupeve turistike, vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën në lidhje me vlerat historike, arkitektonike dhe trashëgimisë kulturore që mbart kjo zonë në veçanti dhe Jugu i vendit në përgjithësi”, thotë Rajmond Kola, drejtori i Zyrës së Administrimit të Qytetit Muze. Vizitorët jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vende të ndryshme të botës do të gjejnë pranë Qendrës së Informimit Turistik materiale informuese, postera, fletëpalosje, në gjuhët shqip, anglisht, italisht etj duke marrë kështu informacionin e duhur për sitet arkeologjike, monumentet e natyrës, objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Gjirokastrës etj. Sipas drejtorit Kola “ pjesa më e madhe e këtyre materialeve ofrohen falas ndërkohë që e veçanta e kësaj nisme është se materialet informuese grupet e vizitorëve mund ti disponojnë edhe në formë dixhitale”. Çelja e qendrave të tilla në zonën historike të Gjirokastrës synon të jetë një element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Jug të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›