Brace: Mediu dhe Dekretet e presidentit nuk janë në rend dite
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka shprehur indinjatën se as çështja e heqjes së imunitetit të Mediut dhe as Dekretet e Presidentit nuk janë vendosur akoma në rend dite për javën tjetër.
“Zvarritja e kërkesës së Prokurorisë n ka patur për qëllim bllokimin e hetimeve, largimin në kohë të tyre nga data e krimit, krijimin mundësi të keqbërësve të përfshirë në krim, të zhdukin e deformojnë faktet që provojnë krimin” – është shprehur, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe.
Ndërkohë kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli është shprehur këtë javë se heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu do të bëhet të hënën ndërkohë që Dekretet e Presidentit do të kalojnë në votim të Enjten ose të Hënën e ardhshme.
Por sipas Braçes seanca ende e pakonfirmuar që i hap rrugë Prokurorisë është tejet e vonuar.
“Nesër, bëhen 3 muaj nga dita kur shtet vrau për korrupsion 26 shqiptarë.”- tha ai.
“Ngjarja ka shumë dëshmitarë, shumë gjurmë në qeveri, ministri, në Sheraton, në Gërdec, në Rinas, në kamera, në diktofonë e letra, aq sa hetimi nuk mund të ndalet. Në qendër të krimit është Berisha dhe hetimi po mbërrin tek ai”.
“Hetimi, gjykimi, ndëshkimi për krimin shtetëror të Gërdecit dhe bllokimin e më pas pushtimi politik i Gjykatës së Lartë janë dy çështje të lidhura fort më njëra tjetrën” – tha Braçe.
“Ne kërkojmë me forcë futjen në rend të ditës së hënë të dekreteve të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Përpjekja për të anashkaluar këto dy çështje, lindur nga vetë nevoja politike e penale e Sali Berishës për pafajësi politike nga krimi shtetëror tejet i ndërkombëtarizuar i Gërdecit, po fut në krizë institucionet, Drejtësinë, Kuvendin por mbi të gjitha mazhorancën. Ajo që është e dukshme sot, ka të bëjë me faktin që Sali Berisha nuk ka mazhorancë politike në Kuvend, pra 71 vota për ta gatuar politikisht këtë pafajësi në Gjykatën e Lartë”- përfundoi Braçe.