E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, dhunohen për herë të dytë varret antike të Valaresë

GJIROKASTËR- Persona ende të panjohur, kanë shkatërruar me eskavator pjesën e mbetur nga një grumbull prej katër varresh antike, që ndodhen në fushën e Valaresë, në komunën e Lunxhërisë në Gjirokastër.

Varret, të cilat i përkasin periudhës historike të shekullit IV- III para Krishtit, janë dëmtuar fillimish në vitet e komunizmit, gjatë aksioneve për “hapjen e tokave të reja”, të rizbuluar në mars të vitit 2008, nga një ekspeditë arkeologësh.

Sipas ish-punonjësit të administratës së komunës Lunxhëri, Pashun Memishaj, problem i ndërhyrjes me mjete motorike gërmimi në këtë zonë akeologjike, ende të pastudiuar plotësisht nga ekspertët e arkeologjisë, është bërë publike nga një këshilltar në mbledhjen e sotme, të këshillit të komunës së Lunxhërisë, dhe më pas, ai ka njoftuar përfaqësuesit e medias lokale dhe ato qëndrore, në Gjirokastër.

Në vendngjarje dallohet qartë se një skrap që ka ndërhyrë, ka zhvendosur pllakat e varreve të vjetra dhe në sipërfaqe të territorit dallohen qartë edhe pjesë të eshtrave të shpendara midis dheut të gërmuar.

Katër varret e mbetura nga një tumë varresh të vjetra, ndodhen në qendër të luginës së Drinosit, në vendin e quajtur stallat e Valaresë, rreth 300 metra në perëndim të zyrave të administratës së komunës së Lunxhërisë, në rrethin e Gjirokastrës.

Pjesa e mbetur e një tumbe të dëmtuar nga traktorët, gjatë hapjes së tokave të reja, ndodhen në fund të një parcele, ndanë bregut të majtë të rrjedhës së lumit Nimica, një prej degëzimeve që pasi zbret nga shpatet e malit të Lunxhërisë, ushqen me derdhjet e tij lumin Drino.

Rizbulimi i katër varreve antike të mbetura është bërë në vitin 2008, gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë, për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos, ndërkohë që është ridokumentuar edhe nga Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Italian pak kohë më pas.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›