Gjirokastër, kafshohet nga qeni i tij, përfundon me plagë në spital
Qeni sulmon pronarin e tij, teksa ky i fundit i ishte afruar për ti hedhur ushqim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Pronari i qenit, Dëfrim Gjocaj, i cili punon si kuzhinier në një lokal në komunën e Dropullit, ka shkuar rreth orës 11:00 të paradites së djeshme për të ushqyer qenin, por është ndeshur me një sulm të papritur të kafshës.
Qeni e ka kafshuar pronarin e vet, Gjocaj në të dy duart, duke i shkëputur pjesë të mishit e duke i shkaktuar plagë të rënda. Në njërën nga duart, plaga ka qenë tepër e madhe, ndërsa në tjetrën disi më e lehtë. Megjithatë, Gjocaj ka mundur ti shkëputet kafshimit të qenit dhe me ndihmën e të afërmve dhe fqinjëve të tij është transportuar në spitalin e Gjirokastrës. Në spital ai i është nënshtruar operacionit për më shumë se dy orë, ndërsa njërën prej duarve mjekët ia kanë vendosur në allci. Mjekët që kryen operacionin dhe mjekimin thanë se vetëm fati e ka shpëtuar Gjocajn nga vdekja, pasi pasojat e kafshimit të qenit ishin tepër të rënda. Sipas mjekëve, damarë të rëndësishëm kanë pësuar dëmtime serioze, por këto dëme janë riparuar nga ndërhyrja kirurgjikale. Djali i Dëfrimit, Armalindi, ka treguar se qeni ushqehej vazhdimisht me mish, pasi i ati është kuzhinier, dhe se ai e kishte sulmuar edhe një herë këtë të fundit para 15 ditësh, por pa i shkaktuar plagë kaq të rënda. E ndërsa sulmi i mëparshëm është cilësuar si rastësi dhe nuk është vlerësuar si rrezik, ditën e djeshme qeni ka qenë tejet agresiv dhe ka sulmuar të zotin. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një grup pune nga policia bashkiake bashkë me mjekun veteriner si dhe përfaqësues të policisë së rendit. Qeni është ekzekutuar prej forcave policore dhe është groposur për të evituar përhapjen e ndonjë sëmundjeje. Mjekja veterinere, Eli Naçi pohoi ende janë të paqarta shkaqet e sulmit të qenit, por shumë shpejt do të kryhen analizat e nevojshme dhe do të arrihet në përfundimin e duhur shkencor
Email This Klikime: 8
Email This Klikime: 8