Gjirokastër, kapen 220 kg drogë

Policia e qytetit të Gjirokastrës, në një operacion anti-drogë të kryer mëngjesin e sotëm ka sekuestruar 222 kilogramë lëndë narkotike, si dhe ka vënë në pranga një person. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave droga e sekuestruar është e llojit marijuanë, ndërkohë që personi i arrestuar është shtetasi Reshat Ademi, kryeplak i fshatit Varfaj të Delvinës. Sipas burimeve, droga, e cila po transportohej me një kamion me targa "DL 2767 A", vinte nga Lazarati dhe dyshohet që destinacion të kishte vendin fqinj të Greqisë. Burimet shtojnë më tej se ajo ishte ndarë në çanta shpine, por u sekuestrua falë organizimit të mirë të operacionit të koduar "Sopoti".