Gjirokastër, kapet mashtruesja e vizave
GJIROKASTER - Vihet në pranga mashtruesja e vizave, dy vjet pas shpalljes fajtore nga ana e gjyqësorit. Minushe Hadëri, 53 vjeçe nga fshati Kalivaç i Tepelenës është ndaluar të enjten nga policia. Sipas burimeve zyrtare ndalimi i Hadërit është kryer pasi ajo ishte shpallur në kërkim nga ana e Policisë së Gjirokastrës. Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar atë në mungesë me 3 vjet burg. Vepra penale që rëndon mbi gruan ishte ajo e mashtrimit. Mësohet se 53-vjeçarja, në bashkëpunim me një shtetas tjetër i cili është i shpallur në kërkim, ka mashtruar disa shtetas nga Qarku i Gjirokastrës, duke u premtuar se do t'u nxirrte viza "Schengen" në Konsullatën Greke në Gjirokastër, kundrejt një shume të konsiderueshme lekësh. Po të njëjtin aktivitet mësohet se gruaja e ka ushtruar edhe në kryeqytet. p.n