Nis procesi i tragjedisë së Butrintit
SARANDE - Pas gjashtë muaj hetimesh nga Prokuroria e Sarandës nisi dje procesi për tragjedinë e Butrintit, ku humbën jetën 5 persona, mes tyre dhe një foshnjë 3-muajshe. Seanca e djeshme u ndërpre ende pa filluar mirë, pasi avokatja e të pandehurit Albert Gega që gjykohet në mungesë, paraqiti kërkesën e mospjesëmarrjes së saj. Procesi do të vazhdojë me seancën e ardhshme, më 8 qershor. Të pandehur të dosjes "Butrinti" të akuzuar për veprën penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen", janë katër persona. Të arrestuar janë: Hiqmet Sollaku dhe Dashamir Mane, ndërsa në mungesë gjykohen Brahim Madhi dhe Albert Gega. Viktima të ngjarjes së Butrintit, ndodhur në shtator të vitit të shkuar janë: Elvira Jaho, Klara Jaho, Amarildo Kuka, Festim Hoxha dhe Ndriçim Myftari. sh.d