E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djalli dhe detajet

Skënder Minxhozi 

Djalli, thonë, fshihet tek detajet. Dhe me “detaje” ndodh që mund të konsiderohen edhe një biznesmen me gradacion të lartë militantizmi në gjak, apo një gardist që beson se nganjëherë nuk duhet ndërhyrë për të ruajtur rregullin dhe për të ndalur drurin, me kusht që druri të jetë duke u përdorur “politikisht drejt”. Këto farë “detajesh” kanë zënë prej ditësh hapësirën mediatike dhe vëmendjen publike, me shëmtinë e tyre sa të tepruar, aq edhe naive e të kotë. Të rrahësh një grua në publik nuk është ndonjë gjest kushedi kuraroje. Edhe i lashti Kanun e ndalon, megjithëse këtu s’ka më as fe, as ligj e as Kanun prej shumë kohësh Të rrahësh një grua të verbër është burracakëri disafishe. S’ka nevojë për të arsyetuar gjatë në këtë aspekt.
Iu rikthyem këtij episodi, sepse vetë episodi nuk është konsumuar ende deri në fund. Ai ka mbetur në kapërcyellin e diçkaje që edhe është edhe s’është shkelje ligji, edhe është vepër penale edhe s’është e tillë, edhe është skandal publik, por edhe mund të shihet si një incident kalimtar dhe kaq. Në çdo vend normal do të ishte hapur një proces urgjent hetimi ndaj një rasti flagrant si ky, e jo të kërkohej hyrja në lojë e Presidentit, Avokatit të Popullit dhe gjithë instancave të tjera që t’i shtyjnë me hosten ata që duhet të viheshin vetë në lëvizje përballë shëmtisë publike që na panë sytë.
Nganjëherë mjafton një incident periferik dhe i parëndësishëm, me aktorë të rastit dhe brenda harkut të disa sekondave, për të kuptuar shumë dhe thellë. Jo vetëm për dinamikën e atij episodi, i cili përtej faktit që u dhunua hapur dinjiteti njerëzor, nuk është se ka ndonjë pasojë tjetër më të gjerë për publikun shqiptar, sesa për aspekte të tjera që lidhen me autoritetin dhe mënyrën e funksionimit të shtetit në këtë vend, për forcën e shpejtësinë e ushtrimit të ligjit, pavarësinë dhe mundësinë e reagimit të sistemit të drejtësisë dhe natyrisht, për respektimin e standardeve të lirisë së individit. Të gjitha këto anë të shtetit ligjor janë vënë në dyshim të fortë pas kësaj ngjarjeje. Kur nuk dënohet një i panjohur që ushtron dhunë publike, si mund të dënohet një ministër me imunitet që shëtit me roje dhe makinë 100 mijë euro.
Sa më shpesh ta shohësh, aq më keq ndjehesh nga imazhet e asaj dhune në derën e kryeministrit. Kjo është një ndjenjë e përgjithshme e atyre që kanë parë. Megjithatë nuk ka nevojë ta politizosh skenën në fjalë. Të paktën në parim. Ajo në fakt është përtej politikës, siç e kuptojmë ne rëndom këtë nocion. Ky incident është e kundërta e gjithçkaje, që morali, etika dhe normat e jetës sociale mund të lejojnë dhe tolerojnë.
E megjithatë një konsideratë të vogël që përkon tangent me zgjedhjet dhe politikën, edhe mund ta bëjmë. Na shtyn autori i ngjarjes në fakt. Apatia e shtetit ndaj një akti dhune që ndodh në dyert e tij, cinizmi i institucioneve që mjaftohen duke e hequr qafe biznesmenin-militant (nuk e merr rrogën tek ne), por që i cili del dhe i akuzon publikisht zonjat e goditura se janë të dërguara nga funksionarët e PS-së në Shkodër për të demonstruar në derën e kryeministrit, hezitimi absurd i Prokurorisë ndaj atyre që rrahin njerëzit nën objektivat e kamerave – të gjitha këto na tregojnë jo vetëm se lëvozhga demokratike e këtij vendi është tepër e hollë, e brishtë dhe iluzive, por edhe se ndodhemi në një moment politikisht të rënduar, i cili përkthehet në tendosjen dhe prishjen e paqes sociale për shkaqe të pastra politike.
Nëse e sheh të përsëritur në ekran, ajo goditje ka brenda urrejtje të hapur. Diçka shumë e madhe sesa “stresi” i punës apo dita e lodhshme e biznesit. Ai shfrim nervash është i motivuar, jo spontan. Pa hedhur asnjë akuzë për paramendim apo inskenim të qëllimshëm, mund të themi megjithatë se edhe ashtu spontan, i beftë dhe impulsiv, ai gjest ka brenda shumë më tepër sesa një acarim normal me dy persona që të kanë zënë rrugën në një sportel zyre. Vetë biznesmeni-agresor ia ka vënë “diçiturën” asaj që ka bërë. Duke i vënë edhe më keq në pozitë me duart e tij ata që duhet të kishin bërë diçka dhe që s’e kanë bërë akoma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›